Si kanë qenë rendimentet e këtij viti në disa kultura bujqësore

Se si ka qenë rendimentet gjatë vitit 2017 në disa kultura bujqësore për të cilat tashmë ka rezultate, u diskutua në emisionin “Start Up”

Pal Gjuraj nga Shoqata e kultivuesve të grurit foli për rendimentin e grurit gjatë këtij vitit ku tha se nuk janë të kënaqur.

Gjuraj tha se sipas evidentimeve që shoqata e tyre ka bërë gjatë këtij vitit për të ditur shkaqet se pse s’ka rendiment të mirë të grurit sivjet ka dalë se , temperaturat e ulëta gjatë dimrit dhe temperaturat shumë të larta gjatë verës dhe demotivimi i fermerëve që të merren me prodhimin e kësaj kulture kanë ndikuar në këtë.

Ai më tej tha se sivjet sipërfaqe të mbjellura me grurë në Kosovë kanë qenë 700 mijë hektarë pra 14 mijë hektarë më pak se në vitin 2016.

Bedri Kosumi nga kompania ”Pestova” foli për produktin e patatës ku tha se  Kosova ka mjaftë patate për tregun e vet mirëpo shtrohet pyetja se ku të gjendet tregu për këto patate?

Kosumi tha se viti i kaluar (2016) ishte i mirë sa i përket patateve mirëpo se vitit 2017 është ende më i mirë në të gjitha aspektet. Ai tha se nuk importojnë asnjë kilogram patate, pasi që kanë krijuar kushte dhe depo bashkëkohore për ruajtje e produkteve dhe se bashkëpunojnë me fermerët në të gjithë Kosovën për patate.

Selami Hoti koordinator në kompaninë ”Agrofesta” tha se perimëkultura nuk është në ditët më të mira të sajë, pasi që siç tha ai mbjellja e produkteve si speci, domatja, trangulli në fusha të hapura ka bërë që ato të sulmohen nga, temperaturat, insektet etj.

Hoti tha se produkti i specit sivjet ka qëndruar më mirë se vitin e kaluar, ka qenë me kualitet të mirë dhe se nuk ka qenë i mjaftueshëm për tregun vendorë.

Bali Lestrani nga ministria e Bujqësisë tha se i kanë rezultatet e arritura nga të gjitha aktivitete në bujqësi. Ai tha se drejtoritë rajonale për bujqësi iu raportojnë dhe se nga to ata e përgatisin një raport ku kanë hartuar një program brenda ministrisë, departament i veçantë që merret me të dhënat statistikore.

Njohësi i bujqësisë, Imer Rusinovci tha se nga të dhënat zyrtare rreth rendimentit të grurit ku ka 14 mijë hektarë më pak të mbjellur me grurë del se treguesi i gjendjes reale ne terren është se shkalla e prodhimit bujqësorë në vend nuk është e kënaqshme.

Rusinovci tha se gjithmonë duhet të përdoren vetëm farëra cilësore për mbjellje nëse fermerët duan që të kenë sukses me produktet e tyre.

Ai më tej tha se duke marrë parasysh prodhimtarinë e përgjithshme për njësi sipërfaqësore duke filluar nga kulturat strategjike siç është gruri deri të prodhimtaria intensive, atëherë kjo shkallë e realizuar e prodhimtarisë është e pakënaqshme./21Media

Back to top button