“E vetmja mënyrë për të nderuar të rënët është të kryhen punët e atdheut”

E vetmja mënyrë për të përmbushur misionin e të rënëve për liri, sipas Haradinajt është që t’i përfundojnë punët e atdheut

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK, AAK dhe Nisma Ramush Haradinaj ka dal sot në disa fshatra të Pejës ku ka takuar qytetarët e kësaj ane si dhe ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve

Pika e parë e ndalesës së Haradinajt ishte fshati Baran ku është zbuluar përmendorja e dëshmorit të kombit Fetah Selca.

 

“Prezenca ime është si bashkëluftëtar sot, aq sa po ndihem mirë me ju aq po më vjen keq që mungoj në shumë prej këtyre përkujtimeve. Mirëpo, kam dy fjalë që mund t’i them për Baranin, për luftën e Baranit, por që i shkojnë krejt Dukagjinit. Në ato kohë të vështira ky vend e dha provimin. Pra Barani, Lugu i Baranit ashtu si dikur më herët në histori e dha provimin. Do të thotë në sfidën e lirisë jeni ballëhapur, jeni me nder, jeni me fytyrë tuaj, me nderin tuaj. Tani në këtë nder tuajin disa familje e bartin dhimbjen, por edhe krenarinë. Janë familjet e dëshmorëve që i kujtojmë sot andaj ne ulemi me respekt para të gjallëve. E vetmja mënyrë për me përmbush misionin e të rënëve për liri të gjitha kohërave edhe të mundit të gjithë atyre që kanë bërë për Kosovën e lirë është me i krye punët e atdheut”, tha Haradinaj.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta foli kr Gazmend Syla, i cili tha se çdo herë që përkujtohen dëshmorët freskohet kujtesa se ku ishin, ku janë dhe ku po shkojnë. Ai tha se me gjakun e të rënëve sot e gëzojnë lirinë.

 

“Ka po shkojnë, po e shihni sa telashet i kemi me kojshitë e këqij, çdo ditë na nxjerrin telashe përmes argatëve të tyre donë me na e bë një shtet në shtet toni, përmes argatëve të tyre që i kanë këtu, donë me provua me luajt kufirin. Kjo s’ka me mujt me ndodhë asnjëherë, le të jetë mesazh për secilin sa të ka burra që i dalin zot këtij vendi. Bashkëluftëtarët tonë po bashkohen, po rreshtohen drejt, i kem pasur disa përçarje të vogla pak për bajraktarizëm se kush ishim ma i zoti në luftë e kush më pak, pak nëpër parti politike u bëmë thuajse sikur armiq tash e kemi kuptuar drejtë se duke qenë bashkë kemi me ju dal përballë këtyre sfidave që na presin përpara”, tha Syla.

Në emër të këshillit organizativ të fshatit, Musa Krasniqi, tha se janë tubuar për ta përkujtuar dëshmorin e kombit Fetah Selca dhe për ta zbuluar shtatoren e tij dhe pllakën përkujtimore për dëshmorët e rënë.

Por, sipas tij Kosova po bënë pak për Fetahun dhe të tjerët kur e dinë sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.

 

Kandidati për kryeministër ka qëndruar edhe në fshatrat Kryshec, Rashiq, Loxhë dhe Graboc të komunës së Pejës, me ç’rast ka zbuluar pllakat përkujtimore për shtëpitë që gjatë luftës kanë shërbyer si shtabe.

Haradinaj tha se është një mënyrë e mirë për të shënuar vendin ku janë mbledhur ushtarët. Po ashtu, ai ripërseriti se mënyra më e mirë për t’ua kthyer borxhin të rënëve është të kryhen punët e atdheut.

 

“Loxha është një shembull i luftës, një luftë që kur janë bashkuar shqiptarët kanë mujt me i dal zot vetes, po ashtu Loxha është ndër të vetmet, është edhe Çabra që janë shkatërruar me themel. Lavdi ju qoftë të rënëve për liri të gjithë që i kujtojmë edhe këtë familje e qofshi me nder si vend. Mënyra më e mirë me ua kthye borxhin të rënëve për liri e sakrificës është me dashtë atdheun, me dashtë popullin e me i krye punët e atdheut, popullit, e ne jemi këtu me i krye gjithë ato punë bashkë”, tha Haradinaj.

Gjatë ditës i pari i AAK-së ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve ne fshatin Kosuriq.

Back to top button