Banorët e Çairit dhe Butelit pa autobusët 9 dhe 19

Banorët e Çairit dhe Butelit pa autobusët 9 dhe 19

Ora shënon 7 të mëngjesit kur fëmijët dhe punëtorët veç më kanë dalë për të pritur autobusin me numër nëntëmbëdhjetë. Ata janë të detyruar që të kalojnë rrugë të gjatë për të marrë autobus pasi që kjo linjë e autobusit është ndërprerë për shkak të ndërtimit të rrugës. Drita Iseni është e detyruar që çdo mëngjes të shkojë me kilometra për në punë.

“Kur të kthehem nga puna duhet të ndalem të posta e Çairit se këndej më nuk kalojnë përpara ka kaluar. Ka dy muaj që po ndërtohet rruga tek ambulanca”, tha Drita Iseni, qytetare.

Më vështirë e kanë fëmijët të cilët janë në shkollë dhe duhet të kalojnë rrugë me kilometra për të arritur deri te një stacion e pastaj për të në shkollë.

Drejtori i Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik në Maqedoni nuk jep detaje se përse nuk po funksionon kjo linjë e autobusëve, ndërkaq kryetari i ri i Qytetit të Shkupit Petre Shillegov ka paralajmëruar largimin e tij dhe emërimin e drejtorit të ri në këtë ndërmarrje, shkruan TV21.TV

“Në fazë jemi për t’i rregulluar ato gjëra. Më lejoni që t’i shoh gjërat. Në post janë vetëm 2 javë e gjysmë. Do të dal me projekt gjithëpërfshirës. Nuk kam vendosur ende për drejtor të ri dhe pastaj do të flasim”, u shpreh Petre Shilegov, kryetari i qytetit të Shkupit.

Kryetari i Qytetit Shilegov tha se duhet të rregullohen disa linja për transport publik por se duhet kohë për ta përpiluar projektin. Përderisa përpilohet projekti, qytetarët janë të detyruar të ecin me kilometra me arsyetimin e vetëm se po rikonstruohet rruga, ndërkohë që makinat private lëvizin lirshëm në të njëjtën rrugë./21Media