Ecin me kilometra në temperatura të ulëta, autobusi i NQP-së nuk ka vend për nxënësit e Vizbegut

Zgjidhja e vetme është ndërtimi i shkollës

Nxënësit e Vizbegut zgjohen më herët se gjithë nxënësit tjerë. Ata duhet të ecin me kilometra në këmbë për të arritur deri në shkollë.

Tani gjatë dimrit e kanë edhe më rënd, sepse kur nisen është errësirë, ndërsa temperaturat janë të ulëta. Në mungesë të shkollës në lagjen e tyre, ata procesin mësimor e ndjekin nëpër shkollat e Çairit.

Stacionin e autobusëve e kanë shumë afër, por në autobus nuk ka vend për të gjithë.

TV21 u mundua të kontaktojë me zv/drejtorin e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik Blerim Ismailin, por ai nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet në telefonata e as të kthej mesazhet.

Zgjidhja e vetme për nxënësit është ndërtimi i shkollës në Vizbeg. Madje kjo është një kërkesë e kamotshme e prindërve, por deri tani kanë marrë vetëm premtime.

Ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Arbër Ademi, tha se përgatitja e dokumentacionit është nga fundi dhe se së shpejti pritet të shpallet tenderimi për zgjedhjen e kompanisë e cila do ta ndërtojë shkollën.

Kur jemi te Vizbegu jemi në përfundim e sipër të procesit, të procedurave administrative, të hollat janë të parapara në buxhet, në program Qeveritar në investime kapitale është paraparë si projekt, presim ta rrumbullakojmë këto ditëve, mos them edhe shumë javë, besoj që më pak javë do ta përfundojmë këto procedura edhe ta shpallim furnizimin për ndërtimin e shkollës”, deklaroi ministri./TV21

Back to top button