Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM po përgatitet

Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM po përgatitet

Vetëm çmimi i njërit prej tuneleve të parashikuar në autostradën Kërçovë-Ohër është rritur trefish nga plani fillestar, nga 29 në 89 milionë euro. Bashkë me shpenzimet tjera shtesë, del se autostrada, në vend të shifrës fillestare prej 375 milionë eurove, do të kushtojë të paktën edhe 120 milionë euro shtesë.

Bllagoj Boçvarski, nënkryetar i LSDM-së shton se problem ka në segmentin prej kilometrit të 12 deri në kilometrin e 18-të, nga Kërçova për në Presekë ku përveç rrëshqitjes së dheut, paraqiten edhe çështje të pazgjidhura pronësore. Kjo sipas tij, dëshmon se plani ndërtues është bërë pa analizat e duhura gjeoteknike dhe gjeomekanike.

“VMRO-DPMNE, gjendjen infrastrukturore në Maqedoni e la të shkretë. Për 11 vjet është punuar në mënyrë të papërgjegjshme, joprofesionale dhe joekonomike. 11 vite, individë të caktuar janë pasuruar në mënyrë kriminale, në kurriz të varfërimit të qindra mijë qytetarëve”, u shpreh Bllagoj Boçvarski, Nënkryetar i LSDM.

Në reagimin e VMRO-DPMNE-së thuhet se ndalimi i ndërtimit të autostradave për të cilat janë siguruar para, bëhet me qëllim që LSDM t’i hap rrugën kriminalitetit bashkë me firmat e veta të afërta.

“Vetë fakti se vendimi i parë i ministrit të transportit është ndalimi i ndërtimit të autostradave për të cilat janë siguruar para, tregon se kjo bëhet me qëllim që firmat e afërta me LSD-në, të përfitojnë miliona në mënyrë të jashtëligjshme”, tha Snezhana Stefanovska.

Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër ka një vit që është bllokuar. E gjithë kjo, akoma më shumë e rëndon udhëtimin drejt Ohrit por edhe transportin e mallrave drejt Shqipërisë. Përveç kësaj, rruga e vjetër tek Mavrova, që është e ngushtë dhe e dëmtuar, është duke u rregulluar në vende të ndryshme, gjë që për udhëtarët paraqet vonesë shtesë. Përndryshe, për shkak të dyshimeve rreth çmimit për ndërtimin e kësaj autostrade, si dhe të autostradës Milladinovc-Shtip, Prokuroria Publike Speciale tanimë ka hapur hetim./21Media