Edhe Apostolova reagon lidhur me rrugën Deçan-Plavë

Apostolova mbështet ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë

Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka mbështetur ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë, pas ankesës së Kishës Ortodokse Serbe në këtë pjesë.

“Është shumë e rëndësishme që Ligji për Zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit të respektohet në mënyrë strikte dhe çdo veprim i mundshëm të aprovohet nga Këshilli Implementues dhe Monitorues”, ka shkruar ajo në “Twitter”.

Ndërprerjen e punimeve në rrugë e ka mbështetur edhe ambasadori i ShBA, Greg Delawie.

Gjatë ditës së djeshme, kisha ortodokse serbe në Kosovë reagoi në lidhje me punimet që po zhvilloheshin në ndërtimin e rrugës nga Deçani për në Plavë të Malit të Zi. Ata, bashkë me Listën Serbe e me shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, thanë se me këtë po bëhet shkelje ligjore pasi po ndërhyhet në zonë të mbrojtur.

Lidhur me këtë kishte reaguar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili kishte thënë se janë të pavërteta pretendimet e serbëve se po punohet në zonë të mbrojtur pasi nga aty vetëm janë hequr disa gurë që kanë penguar qarkullimin e lirë të automjeteve.

Më pas kishte reaguar edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili kishte thënë se punimet po bëhen jashtë ‘zonës së mbrojtur’.

Mbrëmë vonë, misioni i OSBE-së kishte konfirmuar se punimet në ndërtimin e rrugës Plavë- Deçan janë ndërprerë, pas kërkesës së Manastirit të Deçanit dhe reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Back to top button