Edhe dy investues përmbushin kriteret, planifikojnë investim 225 milionë eurosh

Sipas Shalës, Kosova gradualisht po kthehet në vend atraktiv për investitorët e huaj

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka bërë të ditur gjatë takimit të sotëm të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike se edhe dy investitorë tjerë i kanë plotësuar kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional.

Në këtë takim janë shqyrtuar kërkesat e dy investitorëve strategjikë dhe njoftimi për kompletimin e dokumentacioneve.

“Edhe dy investitorë strategjik i kanë përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional të cilin e themeluam sot me vendim të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike”, ka thënë Shala.

Subjektet aplikuese “Solar Kosova 2020” dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” planifikojnë të investojnë në Kosovë 225 milionë euro.

“Solar Kosova 2020” planifikon investimin e 128 milionë eurove në Komunën e Obiliqit dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” 97 milionë në Komunën e Pejës. Të dyja këto projekte në energji alternative.

Shala ka shtuar se falë ndryshimeve të bëra në aktet nënligjore të Ligjit për Investime Strategjike, Kosova gradualisht po kthehet në vend atraktiv për investitorët e huaj.

Këto dy investime që janë në procedurë e sipër dhe investimi i “SOWI Kosovo” L.L.C kapin vlerën e 394 milionë eurove dhe janë investimet e huaja më të mëdha direkte në Republikën e Kosovës.

Back to top button