Kelmendi e mposhti kundërshtaren nga Portugalia

Kelmendi e mposhti kundërshtaren nga Portugalia

Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e bronztë në kampionatin botëror të xhudos që po mbahet në Tokio të Japonisë.

Në garë për pozitën e tretë, Kelmendi e ka mposhtur Joana Ramos, garuese nga Portugalia.

Kështu pas Distria Krasniqit, edhe Majlinda Kelmendi merr medalje në kampionatin botëror që po mbahet në Japoni.

Ndërkohë, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj përmes një shkrimi në “Facebook”, i ka dhënë përkrahje Majlidës duke thënë se çdo shqiptar është krenar me të.

“Majlindë!  Rruga jote në majat olimpike jo çdo herë rezulton me fitore. Por, kjo rrugë e një personi të pathyeshëm si TI, është fitore e përhershme për Kosovën. Sot e përjetësisht, çdo shqiptar është me TY, që vendit dhe popullit i ke dhënë krenarinë dhe emocionet më të veçanta, duke e vendosur përgjithmonë Kosovën në hartën e të artëve”, ka shkruar Haradinaj, duke e falendëruar në fund.

Nesër priten të garojnë edhe dy xhudistët tjerë kosovarë, Nora dhe Akil Gjakova.

Në Japoni prej 25 gusht e deri me 1 shtator, organizohet botërori në xhudo. Kosova po përfaqësohet me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqin, Loriana Kukën dhe Akil Gjakovën./21Media