Edhe mësimdhënësit e “Elena Gjikës” i bashkohen grevës

Ndryshojnë mendje

Stafi i shkollës fillore “Elena Gjika”, dje dolën me qëndrim kundër grevës në arsim dhe thanë se në këtë shkollë procesi mësimor do të mbahet i rregullt.

Por, gjatë ditës së sotme, drejtori i kësaj shkolle njoftoi se kanë ndryshuar mendje. Ata kanë vendosur që t’i bashkohen grevës, të cilës tashmë iu janë bashkuar të gjitha institucionet shkollore në nivel vendi. Drejtori i kësaj shkolle, Betim Sylejmani, tha se për herë të parë pas 10 vjetësh, mësimdhënësit e kësaj shkolle u bënë pjesë e sindikatave të arsimit, e me këtë rast vendosën ta zbatojnë vendimin e tyre.

“Dje kishin vendosur të mos hynin në grevë, por sot iu bashkuan grevës. Pas mbledhjes së Këshillit të arsimtarëve, ata morën dy vendime, t’i bashkohen sindikatave të arsimit dhe njëherësh të hynë në grevë si të gjitha shkollat e Kosovës”, tha Sylejmani.

Por sipas tij, greva nuk është mjeti i duhur, pavarësisht se respekton vendimin e mësimdhënësve.

“Sipas meje asnjë orë nuk duhet të humbet, por unë jam vetëm drejtor dhe si i tillë më duhet ta respektoj vendimin e mësimdhënësve”, shtoi ai.

Ndërkaq dje, stafi i kësaj shkolle përmes një njoftimi për media thanë se greva nuk është forma e duhur. Megjithatë, në këtë njoftim u bë e ditur që përkrahin kërkesat e mësimdhënësve, si që të ngritet koeficienti i pagës dhe të jetë i dinjitetshëm, të jetësohet statusi i mësimdhënësve të viteve 90- ta, por duke gjetur forma të tjera të grevës pa e dëmtuar procesin mësimor. Arsimi duhet të jetë prioritet i prioriteteve dhe të shpallet interes nacional.

Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, nga dita e sotme do të hyjnë në grevë të përgjithshme. Përfaqësues të SBASHK-ut kanë paralajmëruar se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Siç bëhet e ditur në njoftimin e SBASHK-ut në Facebook, orari i mbajtjes së grevës së përgjithshme për të gjitha institucionet arsimore fillon çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 12:00.

Back to top button