Ferizaj solidarizohet me Shqipërinë

Ferizaj solidarizohet me Shqipërinë

Dhjetëra qytetarë drejtues e përfaqësues të institucioneve të shtetit, shoqëri civile e grupe të ndryshme bamirësie, ndezën sonte qirinj në hapësirën para ndërtesës së Komunës së Ferizajt në solidarizim e bashkëndarje të dhembjes me viktimat e tërmetit vdekjeprurës në Shqipëri.

Ata u shprehën të pikëlluar me tragjedinë që shkaktoi ky tërmet për bashkatdhetarët tanë, por edhe njëkohshëm krenarë për aktivizimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve anekënd Kosovës e veçanërisht në Ferizaj për t’i dal në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga tërmeti.

Që nga mbrëmë, Komuna e Ferizajt ka aktivizuar gjithë mekanizmin institucional të emergjencave dhe bashkë me qindra qytetarë e grupe vullnetmira, ia dolën të grumbullojnë për më pak se 24 orë, mijëra pako ushqimore e veshmbathje që tashmë kanë arritur te banorët e zonave të prekura nga tërmeti.

Në përkujtim të dy kosovarëve që humbën jetën në Shqipëri dhe të gjithë viktimave nga tragjedia që ka tronditur shqiptarët, qirinj kanë ndezur edhe në qytetin e Gjilanit.