Morën pjesë më shumë se 100 filloristë

Morën pjesë më shumë se 100 filloristë

Më shumë se 100 filloristë nga disa shkolla të qytetit të Mitrovicës, të lindur në vitin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, morën pjesë në vrapimin e mbajtur në shënim të Ditës Olimpike të Kosovës, që u organizua sot në Mitrovicë nga Komiteti Olimpik i Kosovës së bashku me Komunën e Mitrovicës.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, duke ju dëshiruar pjesëmarrësve sukses në gara dhe në jetë, tha se sheshi i Mitrovicës është rrallë herë i bukur sikur sot, kur është i mbushur me plotë fëmijë. Sipas tij, rëndësia e kësaj dite veç tjerash, është gjithëpërfshirja në sport dhe marrja e kulturës sportive nga ana e fëmijëve.

“Rëndësia e kësaj dite është gjithëpërfshirja e juaj në sport dhe fitimi i kulturës sportive. Andaj sikurse ju dëshiroj sukses sot në gara, ju dëshiroj sukses në jetën e juaj”, tha Mujka.

Elsa Jarolli, e cila foli në emër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, ditën e sotme e quajti datë historike, sepse pikërisht sot 27 vjet më parë, në kohën kur sporti i Kosovës ishte i izoluar, u themelua Komiteti Olimpik i Kosovës.

Ajo potencoi se pjesëmarrja e madhe sot këtu, dëshmon se të rinjt dhe të rejat e duan sportin. Sipas saj, qyteti i Mitrovicës ka pasur gjithmonë emra të spikatur të sportit, për të cilët tha se mund të jenë preferencë e shkëlqyeshme e pjesëmarrësve të sotëm në vrapim.

“Jemi tubuar për të dëshmuar se të rinjt dhe të rejat e Kosovës e duan sportin, madje e duan me shumë pasion. Komuna e Mitrovicës ka pasur emra të spikatur të sportit, e që janë referencë e shkëlqyer për ju fëmijë të dashur”, theksoi Jarolli.

Në anën tjetër, garuesja Valmira Peci, bëri të ditur se është jashtëzakonisht e lumtur që është lindur në vitin e pavarësisë së Kosovës.

“E kam zënë vendin e dhjetë dhe jam e kënaqur me këtë garë. …Jam shumë e lumtur që jam gjeneratë e pavarësisë së Kosovës”, tha ajo.

Ndryshe, në fund të kësaj gare, u ndanë medalje për tri vendet e para si në konkurrencën e femrave, ashtu edhe të meshkujve, ku dominuan nxënësit e shkollës fillore ‘Abdullah Shabani’.