“Edhe nëse i heqim nja 20 kushëri, nuk ndryshon gjendja me vende të punës”

Sipas Haradinajt,  është vështirë të hapen shumë vende të punës në një afat të shkurtë kohor

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka thënë se është pak fajtor pse rinia e Kosovës shkon jashtë vendit. Ai ka deklaruar se ka kërkuar viza pune për qytetarët e Kosovës në vendet evropiane, kur i ka parë ata duke u përpjekur të dalin ilegalisht.

Në një takim me strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj, Haradinaj ka folur për daljen e kosovarëve jashtë vendit, në kërkim të një jetë më të mirë, duke thënë se i nuk gëzohet gjendjes aktuale.

“Kemi kërkuar edhe në Amerikë punësim sezonal, me i çu motrat medicinale sepse i kemi njerëzit pa punë, ne e kemi ditë që nuk arrijmë kaq shpejtë me i çelë vendet e punës për krejt në Kosovë, edhe nëse i heqim nja 20 kusheri që i kemi shti, a të familjes, a disa shokë, prapë nuk është që ndryshon gjendja me vende të punës, ajo nuk është porosi e shëndetshme. Unë i kam lyp këto viza, është meritë e punës që e kam bërë me këtë qeveri me na çelë vizat e punës”, ka thënë ai.

Kryeministri i vendit ka thënë se është vështirë të hapen shumë vende të punës në një afat të shkurtë kohor.

“Nëse ia atribuojmë një qeveri, si rastit tim, krejt këto faje, probleme, për me i zgjedh nëse është dikush aq i zoti sot ia jap punën, nuk besoj që dikush mundet të punojë më shumë sesa që po punojmë sot, prej mëngjesit deri në mbrëmje, tërë kohën punë me tema. Nuk jemi të dorëzuar, nuk jemi të befasuar siç po kujtojnë, siç ka tendenca me thënë, e dimë ku jemi e çka na pret mirëpo mundësitë janë këto që janë dhe po punojnë intensivisht me i zgjidh”, ka shtuar Haradinaj.

Në takimin me strukturat e partisë në Ferizaj, shefi i ekzekutivit ka thënë se dialogu e proceset e tjera të rëndësishme për Kosovën nuk duhet të bëhen vetëm si përshtatje, por shteti duhet t’i ketë argumentet e tij në çdo temë. Edhe njëherë, Haradinaj ka thënë se Kosova duhet të jetë insistuese në të drejtat e saj.

“Ne jemi edhe vijë e frontit e interesave euroatlantike, të botës euroatlantike që i prinë Amerika, me një vijë tjetër të frontit të botës që i prinë Rusia. Ne nuk duhet me u bë shumë të thjesht e të butë, e të arsyeshëm, ne duhet të jemi insistues në të drejtën tonë, jemi Kosovë, duam të bëhemi shtet kështu kemi rënë dakord duam ta mbyllim këtë punë”, ka shtuar ai.

Në Ferizaj, Haradinaj ka cekur se AAK i ka disa vlera të veçanta që nuk i ka ndonjë parti tjetër. Siç ka thënë ai, Aleanca nuk shkon vetëm nga zbukurimi i temave dhe i proceseve, por është shumë e fokusuar në përmbajtje dhe argumente.

Gjatë këtij takimi në Ferizaj është bërë edhe aderimi i disa të rinjve në AAK.

Back to top button