Ligjit për festa zyrtare pritet t’i shtohet dhe festa e komunitetit egjiptian

Ligjit për festa zyrtare pritet t’i shtohet dhe festa e komunitetit egjiptian

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, ka miratuar të mërkurën propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, ku u kërkua që këtij ligji t’i shtohet dhe festa e 24 qershorit, Dita memoriale e komunitetit egjiptian.

Veton Berisha, anëtar i Komisionit nga radhët e komunitetit egjiptian, tha se kjo ditë nuk do të jetë ditë feste, por do të jetë një ditë përkujtuese.

“Ne jemi në fazën kur kemi marrë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e procedurës për amendamentimin e këtij ligji. Pra, është kërkuar që ky ligj të amandamentohet të shtohet me festën memorialë, festën përkujtuese të komunitetit egjiptian, i cili duhet të jetë 24 qershor dhe duhet të bëjë me dije se kjo ditë nuk do të jetë ditë feste, por do të jetë thjesht ditë memoriale, përkujtuese dhe do të pasurohet dhe me këtë ditë, për shkak se pothuajse të gjitha komunitete tjera e kanë“, tha ai.

Ndryshe,  pas miratimit të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për festat zyrtare në Republikën Kosovës, ky ligji pritet të shkojë në shqyrtim të parë në Kuvend.