Edhe një mundësi për studentët kosovarë

Nënshkruhet protokoli zbatues mes MAShT dhe Këshillit për Arsim të Lartë të Turqisë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami sot ka pritur Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, ku është nënshkruar protokoli zbatues i Memorandumit të Bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë me Këshillin për Arsim të Lartë të Turqisë.

Sipas një komunikate nga Ministria e Arsimit, synimi i këtij Protokoli është përcaktimi i vendosjes, pagesës së arsimit universitar dhe pasuniversitar, si dhe përcaktimi i bursave dhe çështjeve tjera të ndërlidhura për studentët e Kosovës, të cilët kanë mbaruar shkollimin e tyre 12 vjeçar në institucionet arsimore në Kosovë.

Ministri Bajrami u shpreh i kënaqur që po vazhdon bashkëpunimi me Këshillin për Arsim të Lartë të Turqisë. “Praktika e përkrahjes së studentëve përmes bursave është praktikë shumë e mirë dhe një kontribut i madh për studentët kosovarë”, tha ai.

Ministri theksoi se kjo është gjenerata e dytë që po përkrahet me bursa nga Turqia, ndërsa uroi që studentëve që tashmë janë duke i ndjekur studimet në universitetet turke të jenë duke iu shkuar mirë studimet.

Ndërsa, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, uroi që studentët që do të diplomohen në Turqi të japin kontributin e tyre në zhvillimin e Kosovës./21Media

Back to top button