Edhe një mundësi zhvillimi për bizneset e Kosovës

Kosova ka nevojë për investitorë që ndihmojnë në zhvillimin e bizneseve aktuale si dhe rritjen e punësimit

Rritja e mundësive të zhvillimit të bizneseve anëtare të Odës së Afarizmit të Kosovës ishte arsyeja e takimit me përfaqësueset e South Central Ventures, Tatjana Zabasu dhe Ivana Stankovic, njofton OAK përmes një komunikate për media.

Anëtarët e bordit të OAK-së prezentuan arsyet e themelimit të odës si dhe punët e vazhdueshme për krijimin e një klime më të mirë të të bërit biznes.

Ata theksuan që Kosova ka nevojë për investitorë që ndihmojnë në zhvillimin e bizneseve aktuale si dhe rritjen e punësimit. Takimi me South Central Ventures është fokusuar për informim dhe ndihmë të bizneseve anëtare.

Përfaqësueset e South Central Ventures prezantuan fondin që funksionon që nga viti 2015 dhe ka në dispozicion rreth 40 milionë euro për investime.

“Fokus kanë investimin në bizneset e sektorit të teknologjisë që kanë ideja inovative dhe potencial të depërtojnë jashtë vendit. Përveç këtyre investojnë edhe në rritjen e punësimit si dhe zhvillimin e bizneseve përmes teknologjive përkatëse”, theksoi OAK në komunikatë.

Gjithashtu, përfaqësueset e ENIF Funds përgëzuan odën për misionin që ka dhe iniciativa për gjetjen e mundësive të reja për zhvillimin e bizneseve.

Back to top button