Nënshkruhet marrëveshja

Nënshkruhet marrëveshja

Komuna e Prizrenit tani e tutje do të bëjë mbulimin e të gjitha shpenzimeve të varrimit dhe në bashkëpunim me bashkësitë fetare dhe kompaninë rajonale “Ekoregjioni”, do të ofrojë edhe shërbimet e varrimit për të gjithë banorët e komunës së Prizrenit.

Lidhur me këtë, sot në konferencë për shtyp folën drejtori i drejtorisë së shërbimeve publike, Levent Kasemi dhe drejtori i drejtorisë së punës dhe mirëqenies sociale, Fejzë Kabashi, të cilët dhanë informacione të detajuara për ta njoftuar opinionin publik rreth kësaj çështjeje.

“Familjarët që kanë pasur rast vdekje, deri më tani kanë përfituar vetëm financiarisht me anë të subvencionimit për mbulimin e shpenzimeve të varrimit nga Komuna e Prizrenit, ndërsa tani e tutje përveç mbështetjes financiare me marrëveshjen e nënshkruar mes Kryetarit të Komunës dhe kompanisë Ekoregjioni, do të ofrohen edhe shërbimet duke përfshirë varrimin sipas ritualeve fetare, pa pasur nevojë të kenë obligime shtesë familjarët e të ndjerit. E gjitha që duhet të bëhet nga familjarët është që në momentin kur ka rast vdekje të jepet njoftimi në numrin e telefonit +383 49 305 050 për të treguar adresën dhe kohën se kur duhet të bëhet varrimi i të ndjerit. Përveç kësaj, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar marrëveshje me Ekoregjionin edhe për mirëmbajtjen e të gjitha varrezave në territorin e komunës së Prizrenit. Sipas kësaj marrëveshjeje, do të bëhet pastrimi dy herë në vit i hapësirave të varrezave, duke për fshirë kositjen, largimin e shkurreve dhe krasitjen e drurëve”, thuhet në komunikatën e komunës.

Edhe Prishtina, Drenasi, Suhareka, Skenderaj, Malisheva dhe komunat e tjera kanë realizuar projektin për t’i mbuluar shpenzimet në rastet e vdekjeve.