Më pak shkelje gjatë raportimit

Më pak shkelje gjatë raportimit

Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuele  në Maqedoni vlerëson se në këto zgjedhje ka përmirësim në mënyrën e raportimit të mediave. Drejtori i agjencisë, Zoran Trajçevski thotë se përderisa në fushatën e zgjedhjeve të kaluara kanë paraqitur 67 procedura kundërvajtëse, në këtë fushatë ka pasur vetëm një shkelje, kur një televizion i ka dhënë më shumë hapësirë një partie të caktuar. Siç thotë Trajçevski, edhe pse ligji ka ngelur i njëjtë, mediat kanë ndryshuar shumë, që tregon se mediat mund të respektojnë ligjin po pati vullnet të mirë.

“Sa i përket procesit zgjedhor që po mbahet tash, kemi ndryshime dramatike në mënyrën e raportimit të mediave. Nëse mund të bëhet krahasim, në aspekt të numrit të akuzave të paraqitura, deri më tani është paraqitur vetëm një vepër kundërvajtëse kundër televizionit Alfa dhe rreth 4-5 padi penale të cilat kanë të bëjnë me mosrespektim teknik të ligjit, gjegjësisht tejkalimin e kohës për reklamim të paguar politik”, tha Zoran Trajçevski, Drejtor i Agjencisë për shërbime audiovizuele.

Përderisa puna e mediave vlerësohet si më e mirë, kjo nuk vlen edhe për gjuhën e urrejtjes në fushatë. Sipas ,Xhabir Derallës nga qendra për liri “Civil”, gjuha e urrejtjes mund të vërehet në debate televizive, reklama, tekste të portaleve, ndërsa kulmin e arrijnë në rrjetet sociale.

“Ekipe tona vërejnë në mënyrë të qartë se më e pranishme është gjuha e urrejtjes si mënyrë e diskreditimit të kundërshtarit politik, sesa që kandidatët u kushtojnë rëndësi programeve të tyre apo atë se çfarë ofrojnë në tregun politik. Diskreditimi i kundërshtarëve politikë shkon deri atje sa që nxirren gjithfarë të dhënash, të trilluara, të vërteta, të dëshmuara, jo të dëshmuara për kundërshtarët politikë dhe kjo kuptohet se ka ndikim edhe në opinion”, tha Xhabir Deralla, Kryetar i OJQ “CIVIL”.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani theksoi se në përmirësimin e gjendjes së mediave ka ndikuar edhe vendimi i qeverisë për të mos reklamuar në televizione.

“Nëse krahasoni se sa sulme ka pasur 100 para zgjedhjeve të dhjetorit të 2016 dhe 100 ditë para zgjedhjeve të vitit 2017 do të vëreni se ka një trend të zvogëlimit të sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa ajo që është edhe më e rëndësishme është që në këto zgjedhje nuk ka asnjë sulm fizik ndaj gazetarëve”, tha Naser Selmani, Kryetar i SHGM-së.

Ndryshe vitin e kaluar, sa i përket lirisë së mediave, në raportin e “Gazetarëve pa kufij” Maqedonia ishte në pozitën më të keqe nga vendet e rajonit dhe ishte në grup me vende të cilat njihen si vende ku kontrollohen mediat, si Rusia e Turqia. Në lidhje me pasqyrën e keqe të mediave në Maqedoni disa herë kanë reaguar shumë faktorë ndërkombëtar, ndërsa mungesa e lirisë së mediave është përmendur edhe në raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë./21Media