Edhe shëndetësia në grevë nesër

Me moton “Presim pagat me Ligjin e ri”, mbahet grevë nesër

Nesër (13 dhjetor 2019) nga ora 07:00-15:00 do të mbahet grevë e përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore të tri niveleve të sistemit shëndetësor, parësor,dytësor dhe tretësor, me moton “Presim pagat me Ligjin e ri”. Lajmi u bë i ditur nga një njoftim i Sindikatës së Shëndetësisë.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës njofton opinioin e gjerë se me datë 11.12.2019  në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues diskutoi në lidhje me situatën e krijuar pas dërgimit të Ligjit mbi Pagat në sektorin publik nga ana e Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese, si dhe bashkërendimin e aktiviteteve me Sindikatën e  Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, morën vendim me shumicë votash që me datën 13 Dhjetor 2019 duke filluar nga ora 07:00-15:00 të mbahet Grevë e Përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore  të tri niveleve të sistemit shëndetësor parësor,dytësor dhe tretësor.”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Ata po kërkojnë implementimin e Ligjit për Paga në muajin dhjetor, ashtu siç është paralajmëruar, e të mos pezullohet nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës që e ka bërë Avokati i Popullit. Në rast të pezullimit paralajmërojnë grevë dhe protesta, kështu së paku bënë të ditur në takimin e djeshëm me kryetarin e VV-së, Albin Kurti.

Më 5 dhjetor, avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat në Sektorin Publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Avokati i Popullit ka konsideruar se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca 1 e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Sipas Avokati të Popullit ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

Grevë për nesër kanë paralajmëruar edhe institucionet arsimore. U tha se greva do të zgjasë dy orë./21Media

Back to top button