Edhe shërbyesit civil të Komunave në nivel Kosove paralajmërojnë greva

Kërkojnë rritjen e koeficientit për shërbyesit civil

Në Komunën e Mitrovicës sot u mbajt mbledhje nga Sindikata e të punësuarve të komunës, në bashkëpunim më sindikata e disa komunave tjera. Qëllimi i kësaj mbledhje ishte projektligji për pagat e shërbyesve civil. Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i sindikatës së të punësuarve të Mitrovicës, Mehmet Bajrami, ai i të punësuarve të Vushtrrisë, Ramadan Kutllovci dhe ai i Rahovecit, Ilir Haxhijaha.

Mehmet Bajrami tha se kërkesa e Sindikatës së shërbyesve civil në komunën e Mitrovicës është e njëjtë me atë të Sindikatës së Arsimit. Ata kërkojnë rritjen e koeficientit për shërbyesit civil në nivel komunal për 30% duke përfshirë çdo nivel.

Bajrami tha se janë të diskriminuar me koeficientin, derisa shtoi se zyrtarë të tjerë komunal me atë koeficient që është paraparë me projektligjin për paga pritet t`u ulet paga deri në 40 përqind.

Kështu, ata i bënë thirrje komisionit përkatës që ta ndryshojë koeficientin deri më 21 janar. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë do të marrin vendim për hyrje në grevë dhe se grevës pritet t’i bashkohen edhe disa komuna të tjera.

Sindikalistët shprehën pakënaqësitë e tyre në lidhje me draft-ligjin për pagat e shërbyesve civil, duke thënë se ndjehen të diskriminuar karshi nëpunësve tjerë, si ata të shëndetësisë dhe arsimit.

“Ne ia kemi drejtuar nivelit qendror kërkesën me shkrim dy herë dhe kemi qenë pjesëmarrës edhe në takimet në Kuvend të Kosovës, konkretisht Komisionin Parlamentar dhe kemi pritur mirëkuptim nga Komisioni për nivelimin e koeficienteve të shërbyesve civil me kategoritë tjera, por kemi marr përgjigje negative nga të njëjtit me arsyetimin se kërkesa jonë nuk ka qenë e arsyeshme”, tha Bajrami.

Udhëheqësit e Sindikatës së të punësuarve të komunës se Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Rahovecit të cilit ishin prezent kanë thënë se kanë marrë mbështetjen edhe prej komunave tjera, duke shtuar se në rast të mos përfilljes së kërkesave të tyre në fillim të javës së ardhshme, do të bëjnë publike datën e fillimit të grevës nga shërbyesit civil në Komunën e Mitrovicës dhe më gjerë./kallxo.com

Back to top button