Edhe Tahiri kundër plotësimit të Projektligjit të Pagave

“Do të kërkoj edhe njëherë nga Komisionet e Kuvendit që të shqyrtojnë me kujdes mënyrën sesi trajtojnë gjyqësorin”

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri sot reagoni ndaj ndryshimit dhe plotësimit të Projektligjit të Pagave, që rrezikon pavarësinë e sistemit gjyqësor në vend.

Sipas Tahirit, Kosova është duke bërë përpjekje për të vendosur një formulë mbi sistemin e pagave dhe kjo është mëse e nevojshme, por drejtimi që kanë marrë disa elemente rregullative të parapara me Projektligjin e pagave, sipas ministrit, janë në shpërputhje me vlerat e një demokracie në të cilën pushtetet janë të ndara dhe të barabarta.

“Jam tejet i shqetësuar me faktin se parametrat rregullativ të vendosur në këtë projektligj, kanë prekur dhe degraduar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke tjetërsuar koncpetin e pavarësisë së sistemit gjyqësor si pushtet i tretë dhe i pavarur. Kam shprehur dhe shprehë mospajtimin tim të plotë me propozimet e dhëna në projektligj, të cilat cenojnë pavarësinë e gjyqësorit”, bëhet e ditur në komunikatën e ministrisë.

Ministri Tahiri theksoi se do të kërkojë që të përfillet kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që pagat të rriten për stafin civil të punësar në gjykata dhe prokurori.

“Do të kërkoj edhe njëherë nga Komisionet e Kuvendit që të shqyrtojnë me kujdes mënyrën sesi trajtojnë gjyqësorin, meqenëse kjo është jetike në funksionimin e demokracisë sonë. Pres që në ditët në vijim, deputetët të reflektojnë dhe të mundësojnë avancimin e reformave të ndërmarra në vitin e fundit, për të krijuar një ambient pune të përshtatshëm për gjykatësit dhe profesionistët tjerë, dhe për të mundësuar që ky sistem të jetë i besueshëm për qytetarët e vendit.”, tha Tahiri më tutje.

Edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj sot reagoi pas dërgimit në Kuvend të projektligjit për paga, i cili bën nivelizimin e pagave në të gjitha institucionet publike.

Ndërsa, kryetari i  Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani dje ka thënë se me projektligjin për paga hiqet paga e përjetshme e presidentit, kryeministrit, kryeparlamentarit, prokurorit të shtetit,  kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarit të Gjykatës Supreme./21Media

Back to top button