Efekti i 5 kushteve të Haradinajt për Kosovën

Konferenca ndërkombëtare e kërkuar nga Haradinaj në dëm apo në favor të Kosovës?

Inicimi i në konferencë ndërkombëtare ku do të arrihej një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është njëri ndër kushtet që Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka prezantuar në letër dërguar shteteve të Quinit për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Por, çfarë ndikimi do të ketë ky kusht në rrethanat aktuale në Kosovë?

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Erolld Belegu në RTV 21 ka deklaruar se kryeministri Haradinaj ishte i detyruar që t’ua dërgonte këtë letër shteteve të Quintit, për shkak të presionit që ka pasur për heqjen e taksës. Sipas tij, kushtet e paraqitura në letrën drejtuar vendeve të Quintit kanë të vetëm kërkesë, njohjen e Kosovës nga Serbia. “Në parim ato, nëse i lexoni të gjitha e përbëjnë vetëm një fjali të cilën kryeministri e ka thënë prej ditës së parë, e kjo është ne kërkojmë njohje, realisht të gjitha ato tjerat të cilat janë nëpërmjet asaj letre kanë të bëjnë me njohjen, natyrisht mos të harrojmë që apostrofimi kryesor në letër është ai që nuk ka shkëmbim të territoreve dhe ne kërkojmë garancat nga faktorët ndërkombëtar që nuk do të ketë ndryshim të territoreve dhe forma si do të arrihet është propozu si një konferencë, po mos të harrojmë që ajo konferencë realisht është më shumë përdorë që të jetë e përgatitur tash a e ka emrin ajo konferencë apo do të jetë një mbledhje më e gjatë, a do të jenë pesë takime brenda atyre 14 ditëve apo 13 ditëve apo 10 ditëve, po sidoqoftë nuk mendoj që duhet të ndodhë ajo çfarë ka ndodhur deri sot të shkojmë në negociata me duar në xhepa dhe të bisedojmë duke mos e pasur lëndën për të cilën do të diskutojmë përpara.”, ka deklaruar Belegu.

Analisti, Ramush Tahiri ka vlerësuar se letra e kryeministrit  është një dokument i argumentuar mirë që sipas tij, nëse shtetet e Quintit do t’i pranonin atëherë do të ishte një zgjidhje e mirë për normalizimin e marrëdhënieve të dyja vendeve. “Shpjegimi dhe kërkesa e Kryeministrit të Kosovës drejtuar vendeve të Quintit dhe vendeve të Bashkimit Evropian me të cilën shpjegon kushtet në të cilat shteti i Kosovës do të hiqte menjëherë taksën e vendosur njëqind për qind në importet e mallrave të importuar dhe me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina është një dokument i mirë dhe i argumentuar me kërkesa shumë të kjarta edhe politikisht edhe në mënyrë përmbajtjesore. Çështja është që vendet të cilave iu dërgohet letra a do ta marrin parasysh këtë dhe a do të ecin në këtë drejtim dhe a do të ndërmarrin veprime çfarë i kërkon Ramush Haradinaj. Nëse këto kërkesa pranohen si nga vendet e tjera si nga Serbia atëherë çështja është e zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe dy vendet normalizojnë marrëdhëniet pa biseduar për çështjet statusore si e shpjegon kryeministri në letrën tjetër dërguar të gjithë kryeministrave të shteteve.”, ka thënë Ramush Tahiri për rtv21.tv.

Por, analisti  Blerim Burjani nga ana tjetër ka vlerësuar se këto kushte të Haradinajt janë një fushatë parazgjedhore, pasi që sipas tij është shumë e vështirë që të vazhdojë kjo qeverisje. “Kushtet e përcaktuara të Haradinaj janë paralajmërime për ndryshime në qeverisje dhe në koalicionin ekzistues, Haradinaj në këtë kontekst ka filluar fushatën parazgjedhore pasi që ka shumë vështirësi në funksionim të kësaj Qeveria, kushtet për tërheqjen taksen deri ne njohja nga Serbia vlerësohet si jo drejt nga SHBA dhe BE, palët duhet të heqin dorë nga kushtet dhe kushtëzimet për te mundësuar rolin e ndërmjetësuesit për të ushtruar detyrën e vet dhe për të përafruar qëndrimet për një zgjidhje të përhershme dhe obligative”, ka thënë Burjani për rtv21.tv.

Sipas tij konferenca ndërkombëtare e propozuar nga Haradinaj paraqet një rrezik për shtetin e pavarur të Kosovës. “Ideja e Ramushit për një konferencë ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është e pa interes të Kosovës dhe hap rreziqe më të mëdha për Kosovën si shtet i pavarur. Konferenca në nivel të tipit ndërkombëtar mund të sjellë pasoja te pa parapara për shtetin më të ri në Ballkan, kjo ide është regresive dhe bie ndesh me partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe shumicën e shteteve mike të BE-së që propozon Ramushi, askush me nuk ka interes në bashkësinë ndërkombëtare për të hapur tema ndërkombëtare dhe dilema dhe dyshime, Kosova ka përfunduar dialogun me Serbinë rreth statusit, Kosova është shtet i pavarur dhe Kosova asnjëherë me nuk duhet të pranojë asnjë ide për konference ndërkombëtare Kosovë – Serbi , vetëm dialog teknik për të normalizuar raportet pra vetëm takime të nivelit bilateral por jo më multilateral.”, ka thënë Burjani.

Në ditën kur Haradinaj vendosi pesë kushtet për heqjen e taksës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar që të pezullohet për 120 ditë taksa 100% e vendosur ndaj mallrave të importuara nga Serbia.

Analisti Ramush Tahiri ka vlerësuar se ky propozim i Veselit nuk është në kundërshtim me letrat e kryeministrit. “Kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli ka kërkuar pezullimin 120 ditësh të taksës në mënyrë që të zhbllokohet procesi i dialogut dhe të mundësohet arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky nuk kërkon as heqjen e as anulimin e taksës , pra nuk është e kundërshtueshme me letrat e Kryeministrit.”, ka thënë Tahiri për rtv21.tv.

E për analistin Blerim Burjani, pezullimi i përkohshëm do ta ndihmonte SHBA-në për t’i bërë presion më të madh Serbisë për zgjidhje përfundimtare, dhe sipas tij kjo taksë do të pezullohet. “Kjo taksë në momentin kur të fillon dialogu duhet të pezullohet, kjo taksë pezullohet deri në përfundim të dialogut nëse veç s’ka marrëveshje përfundimtare që siguron Kosovën të hyjë në OKB atëherë kjo taksë mund të vazhdojë. Pezullimi i kësaj takse edhe ashtu do të ndodhë për të hapur rrugë për një marrëveshje finale, s’ka dialog përfundimtar me taksë këtë e ka bërë me dije SHBA, Thaçi i është bindur kësaj teme se duhet pezullohet, nëse Kryeministri insiston me tutje ai do të zëvendësohet nga PDK, edhe riformulim të qeverisjes së re PSD , PDK, kjo mosmarrëveshje mund të i kushtojë AAK-së dhe Nismës. Ramushi ka sjellë telashe me ligjin për pagat me zgjidhje të gabuar metodologjike , ka sjellë një sistem paralizues me përplot greva që nuk prodhojnë zgjidhje edhe ky është shkak për të zëvendësuar këtë kryeministër.”, ka përfunduar Burjani.

E për ligjin për pagat për të cilin Burjani ka thënë se do t’i shkaktojë telashe, të shtunën me 2 shkurt do të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës ku do të diskutohet për këtë ligj./21Media

Back to top button