Federata e Hendbollit të Serbisë ka pranuar 3 dënime nga Federata Evropiane e Hendbollit

Federata e Hendbollit të Serbisë ka pranuar 3 dënime nga Federata Evropiane e Hendbollit

Federata Evropiane e Hendbollit (EHF), përkatësisht Gjykata e hendbollit e EHF-së ka marrë të martën vendimin për turneun kualifikues të përfaqësueseve U-20 të hendbollisteve që është dashur të mbahet në Serbi në muajin mars, por që u anulua pasi shteti serb mori vendim diskriminues duke mos lejuar hendbollistet e Kosovës të luajnë në Serbi. Në Kovilovo, në afërsi të Beogradit ishte luajtur vetëm ndeshja mes Norvegjisë dhe Sllovakisë, ndërsa fillimisht shteti serb nuk lejoi zhvillimin e ndeshjes mes Serbisë e Kosovës. Më pas serbët nuk lejuan që Kosova të luajë as ndaj Sllovakisë e Norvegjisë.

Për këtë Federata e Hendbollit të Serbisë të martën është dënuar me 15 mijë euro, ndërsa gjysma e kësaj shume është me kusht për dy vite. Federata serbe është suspenduar për dy vite nga organizimi i garave nacionale tw EHF-së për të rinjë dhe do të paguajë çdo kosto shtesë.

Për Kosovën vetë vendosja e hendbollisteve në afërsi të Beogradit dhe zhvillimi i një stërvitje ishte vlerësuar fitore e madhe. Ishte hera e parë që sportistë të Kosovës, me rekuizita të Kosovës, vendoseshin në Serbi. Por shteti serb nuk lejoi hendbollistet e reja që të luajnë, duke bërë shkelje të rëndë.

Më pas EHF-ja në konsultim me federatat nacionale vendosi që në botëror të dërgojë Norvegjinë.

Më poshtë e paraqesim në tërësi vendimin e Gjykatës së Hendbollit të EHF-së për anulim të turneut:

Gjykata e hendbollit e EHF-së ka ardhur me vendimin pas mospjesëmarrjes së përfaqësueses së Serbisë në ndeshjen kundër kundër Kosovës më 23 mars 2018 dhe anulimin e turneut kualifikues të Botërorit U-20 të femrave të paraparë të mbahej prej 23 deri më 25 mars.

Gjykata ka zbuluar se në kundërshtim me argumentet e Federatës së Hendbollit të Serbisë, fakti se Ministria e Brendshme ka vendosur që luajtja e ndeshjeve nuk do të lejohet, nuk paraqet një rast të forcës superiore, por thjeshtë një elemente që të merret në konsideratë kur definohet tipi dhe përmasa e sanksioneve të vendosura.

Fakti se çështjet e sigurisë pritej të rriteshin dhe kjo është pritur kur federate nacionale vendosi të organizojë turneun, është marrë në konsideratë.

Gjykata për këtë arsye ka vendosur se Federata nacionale është tërhequr nga organizimi dhe pjesëmarrja në turne, dhe për të janë ndarë këto sanksione:

1.       Një gjobë prej 15 mijë euro, gjysma e të cilës është me kusht për dy vite.

2.        Një suspendim nga organizimi i garave nacionale të të rinjëve të EHF-së për periudhë dy vjeçare.

3.        Pagesa e çdo kostoje shtesë, shpenzimi apo dëmi që i është shkaktuar EHF-së dhe skuadrave pjesëmarrëse.