Lojërat e dyta evropiane ‘Minsk 2019’,  mbahen prej 21 deri më 30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë

Lojërat e dyta evropiane ‘Minsk 2019’,  mbahen prej 21 deri më 30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë

Organizatori i LE ‘Minsk 2019’, i ka konfirmuar Komitetit Olimpik të Kosovës pjesëmarrjen e pesë xhudistëve tanë, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka, të cilët janë kualifikuar me normë.

Distria është bartësja e dytë në kategorinë deri 48 kilogramë, Majlinda është e katërta (-52 kg), Nora e para (-57 kg), Akili i katërti (-73 kg), ndërsa Loriana e teta (-78 kg).

Distria Krasniqi u shpreh se ata janë vazhdimisht duke ushtruar dhe duke u përgatitur për këto lojëra, ku do të synojnë të kthehen me medalje.

“Ne si ekip jemi duke u përgatit shumë për këto lojëra evropiane, që me përfaqësuar Kosovën sa më mirë, dhe të kthehemi me sa më shumë medalje. Në këtë garë synimi im është që mu kthy me medalje, por synimi kryesor është të kthehem me medaljen e artë. Normal çelësi i krejt këtij suksesi është puna të cilën ne e bëjmë si ekip, por edhe puna e trajnerit tonë. Së fundi kam pasur shumë suksese pasi që e kam ndërruar kategorinë dhe jam në numër 1 në ranglistën olimpike për me shku në Tokyo, në lojërat Olimpike, pra gjithçka është duke shkuar mirë, vetëm shpresoj që të mos kem lëndime dhe me vazhdu kështu”, u shpreh Krasniqi.

Kjo do të jetë hera e parë për xhudisten, Loriana Kuka që do të marrë pjesë në lojërat evropiane dhe ajo shpreson që nga kjo garë të rikthehet me medalje.

“Për momentin përgatitjet po shkojnë mirë. Është hera e parë që do të marrë pjesë në lojëra evropiane, edhe shpresoj që mundem me tregu veten aty… Për secilin prej neve që ka me marrë pjesë, synimi është me marrë një medalje, e arta normal që është më e mira por për secilin nuk ka lidhje se çfarë. Në çdo pjesëmarrje në çdo garë është njëjtë për mua, a është këtu në Kosovë apo jashtë Kosovës, kështu që nuk besoj që ka me pas problem me lëndime”, tha Kuka.

Ndërkohë që xhudistja tjetër, Nora Gjakova shprehet tejet e kënaqur me ecurinë e përgatitjeve që janë duke i bërë, duke theksuar se Driton Kuka është personi që është duke e kryer punën më të madhe.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jemi kthyer javën e kaluar prej përgatitjeve në Romë dhe kur jemi kthy këtu kemi pasur mysafirë nga Turqia, Mali i zi, Bosnja, dhe kur po kemi kështu mysafirë prej shteteve tjera po na ndihmojnë shumë, sidomos për sparing që është e domosdoshëm në këtë fazë që jemi tani para lojërave evorpiane. Unë para katër viteve kam qenë medalistja e vetme në Lojëra Evropiane, e kam fituar medaljën e bronztë, shpresoj që këtë vit të jem pjesë e podiumit, normal qëllimi im kryesor ka me qenë medalja e artë, por nëpër gara të tilla çdo medalje e ka vlerën e madhe”, potencoi Gjakova.

Momentalisht ekipi i xhudos i udhëhequr nga Driton Kuka gjenden në Paris, ku kanë vazhduar fazën tjetër përgatitore për këto lojëra evropiane.

Kujtojmë që pikërisht në xhudo, Kosova numëron një medalje të bronztë të fituar nga xhudistja Nora Gjakova, në debutimin e ekipit tonë në Baku 2015.