Kërkohet të ndërmirren masa sa më shpejt

Kërkohet të ndërmirren masa sa më shpejt

Me rastin e 30-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, Grupi Tematik për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shëndetësi që është strukturë organizative brenda koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë e njohur me shkurtesën KOMF, mbajti konferencë për media, ku prezantuan një dokument faktik të gjendjes aktuale në Kosovë sa i përket ndotjes së ambientit, dëmet që shkaktohen tek fëmijët dhe masat që duhet të ndërmerren për tu mbrojtur nga ndotja e ambientit.

Drejtoresha e KOMF, Donjeta Kelmendi, tha se kjo konferencë është thirrur me qëllim për veprim sa më të shpejtë për ajrin e ndotur, sepse sipas saj, ekspozimi afatgjatë i fëmijëve në një ambient të ndotur mund të ketë pasoja të mëvonshme shëndetësore fizike dhe psikologjike tek ta. “Vitin e kaluar ka pasur shumë bujë sa i përket ndotjes së ajrit sidomos duke u bazuar në të dhënat alarmante të cilat në baza ditore janë publikuar nga Ambasada amerikane ne Kosovë, mirëpo nuk ka pasur ndonjë veprim konkret nga qeveria apo edhe ministritë për të adresuar këtë problematik në mënyrë që të ndikojnë në përmirësimin e ajrit apo në zbutjen e kësaj problematike edhe në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve”, tha Kelmendi.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, Vlorian Molliqaj, tha se studimet e fundit tregojnë që personat që kanë qenë të ekspozuar gjatë fëmijërisë së tyre në ajër të ndotur kanë prirje për të pasur ngecje në zhvillimin fizik dhe psikologjik gjatë jetës së tyre, dhe sipas tij shteti i Kosovës nuk ka asnjë plan për të parandaluar ndotjen e ajrit. “Në Kosovë mungon informimi dhe vetëdijesimi i publikut për sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit për parandalimin dhe trajtimin e tyre. Deri më tani institucionet në Kosovë nuk kanë krijuar ndonjë fushatë vetëdijesimi për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve nga ndotja e ajrit”, tha Molliqaj.

Kosova edhe pse ka krijuar task-forcë për përmirësimin e ajrit, për anëtaren e KOMF, Bukureza Surdulli, tha se nuk ka pasur ndonjë aktivitet konkret që i ka kontribuar përmirësimit të ajrit. “Institucionet e Kosovës në vitin 2018 e kanë formuar një taks forcë e cila ka pasur për qëllim përmirësimin e ajrit në Kosovë, mirëpo fatkeqësisht nuk kemi pasur rezultate edhe pas krijimit të kësaj taks force, pra nuk ka pasur ndonjë aktivitet konkret që i ka kontribuar përmirësimit të ajrit, ende Kosova vazhdon me u përball me probleme si janë, mungesa e identifikimit të faktorëve kryesorë të ndotjes së ajrit, pra nuk e dimë ende se cilët janë ata faktorë në mënyra që ta dimë se ku duhet të investojmë, nuk kemi ende as matës se si duhet bërë kjo edhe këtu ka ngecje ku institucionet nuk kanë bërë diçka në këtë drejtim, gjithashtu mungon edhe vetëdijesimi i popullatës në përgjithësi mbi dëmet që shkakton ndotja e ajrit mbi shëndetin në veçanti në shëndetin e fëmijëve”, u shpreh Surdulli.

KOMF i rekomandon institucionet përgjegjëse të zhvillojnë politika që të adresojnë çështjen e ndotjes së ajrit, të zhvillohen strategji kombëtare që përmirësojnë ndotjen e ajrit, të zhvillohen hulumtime të bazuara lidhur me ndikimin e ajrit në shëndet posaçërisht të fëmijëve, të ndahet buxhet i mjaftueshëm për të parandaluar ndotjen e ajrit etj.

Ndryshe, Grupi Tematik për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shëndetësi është strukturë organizative brenda KOMF, e përbërë nga organizatat anëtare dhe jo anëtare të KOMF, të cilat marrin pjesë në përputhje me profilin e tyre, ekspertizën, fushën e veprimit dhe atë të interesit. Ky grup ka për qëllim ndikimin në hartimi e politikave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në fushën e shëndetësisë.