Ekspertët: Rregullorja të mos interpretohet sipas qejfit

Kuvendi i Maqedonisë ende i bllokuar

Interpretimet e ndryshme të Rregullores së kuvendit dhe mos vënia në rend dite propozimin e shumicës parlamentare nga ana e kryesuesit të seancës parlamentare, nuk po kontribuon në debllokimin e punës së Kuvendit. Ekspertët e materies juridike që i kontaktoi TV21 thonë se duhet të respektohet vullneti i shumicës.

“Është mire që grupi parlamentar i LSDM-së gjeti mënyren për ta ndryshuar rendin e ditës. Kjo mundësohet sipas Rregullores e cila lejon që të ndryshohet rendi i ditës me propozimin e të paktën 10 deputetëve. Kjo do të thotë se pika për zgjedhjen e kryetarit do të vije para pikës aktuale dhe këtu nuk ka agjë kontestuese. Që situata të jetë ende më e arsyeshme, ishte vetë VMRO-DPMNE ajo që në vitin 2010 miratoi ndryshimin, me anë të të cilit u lejua që diskutimi për ndryshimin e rendit ditor të zgjasë 3 minuta”, tha Dragi Rashkovski, Profesor në fakultetin Juridik.

Analisti dhe ish deputeti Ismet Ramadani kujton se edhe në të kaluaren ka pasur situata të ngjajshme në Kuvend. Ai thotë se secili e interpreton Rregulloren e Kuvendit në varësi të asaj se si i konvenon. Në rastin konkret, ai konsideron se qëllimi i një pjese të deputetëve dhe i kryesuesit të seancës është pengim i punës së Kuvendit, shkruan tv21.tv.

“Deputetët e LSDM-së kanë të drejtë kur kërkojnë mbështetjen e të paktën 10 deputetëve që të ndërpritet diskutimi për një pikë të caktuar, e në rastin konkret është diskutimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit për zgjedhje dhe emërim. Në përvoje të këtillë e kemi pasur më herët. Kemi ndërprerë një pikë të caktuar për të kaluar në një pikë tjetër prioritare. Pra, një mundësi e tillë ekziston”, tha Ismet Ramadani, ish Deputet./21Media

Back to top button