KFOR-i është i mandatuar ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

KFOR-i është i mandatuar ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

Paralajmërimi se në veri të vendit po përgatitet plani i “katastrofës humanitare”, ku dyqanet do të boshatisen e nuk do të gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, sipas ekspertëve të sigurisë nuk mund të ndodh.

Dy ditë më parë ishte raportuar se si ky plan po përgatitej i dirigjuar nga Beogradi, për të cilin plan më pastaj kanë reaguar edhe institucionet e Kosovës.

Burime të KP kishin thënë se në një takim që ishte mbajtur të mërkurën mes kryetarëve të sapo zgjedhur të katër komunave veriore, disa afaristë të asaj pjese, përfaqësues ilegal të institucioneve, si dhe një zyrtar i lartë i qeverisë nga Beogradi, me ç’rast veç tjerash, është hartuar plani për ‘katastrofën humanitare’ në veri.

“Nga depot dhe dyqanet në veri tashmë veç ka filluar largimi dalë ngadalë i artikujve ushqimorë elementarë, në mënyrë që prej ditës së hënë të mos mbetet asgjë. Të hënën do të ftohen të gjitha mediat edhe nga Serbia dhe do të pasqyrohet gjendje katastrofe për qytetarët në atë pjesë të Kosovës’, kanë thënë burimet.

Por ky plan sipas profesorit të shkencave të sigurisë, Avni Islami, nuk mund të ndodh. Ai thotë se institucionet e sigurisë së Kosovës së bashku me KFOR-in nuk do të lejojnë që të vije deri tek një trazirë në veri të vendit.

“Paralajmërimi të cilin e dha para disa ditësh kryeministri Haradinaj se në veri të Kosovës mund të ketë katastrofë humanitare nuk është befasi, për shkak se planet operative të ndryshme për veriun e  Kosovës janë që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Serbia së bashku me aleatët e saj me Rusinë në vazhdimësi që nga përfundimi i luftës deri më sot ka tentuar që ta destabilizoj dhe të krijoj kaos në veri të Kosovës. Unë thellësisht jam i bindur se duke iu falënderuar institucioneve të sigurisë së Kosovës së bashku me aleatët tanë, pra me KFOR-in dhe me strukturat e tjera të sigurisë nuk do të vije deri tek një trazirë”, tha ai.

Ai tha se KFOR-i është i mandatuar ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Taksa nuk është e vendosur ndaj një pjese të komuniteteve, pra as ndaj serbëve lokal të Kosovës, taksa është vendosur ndaj shtetit të Serbisë dhe në asnjë rrethanë nuk do të vije deri tek një katastrofë humanitare. Për shkak se qytetarët serb edhe në veriun e Kosovës edhe kudo janë qytetarë të Republikës së Kosovës  dhe janë institucionet e Kosovës të cilat do të kujdesen për secilin qytetar. Kjo mendoj që assesi nuk do të vije në shprehje… Asnjë inskenim, asnjë ngjarje nuk do të ndodh në veri të Kosovës përderisa sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës e ruan KFOR-i, pra NATO-ja. Kësisoj brenda territorit të Kosovës secila tentativë e kujtdo qoftë do të zmbrapset nga institucionet e Republikës së Kosovës, pra nga Policia e Kosovës, nga AKI-ja dhe strukturat e tjera të sigurisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Se nuk do të qëndrojnë duarkryq ndaj këtyre tendencave për destabilizim e ka thënë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili përmes rrjetit social facebook ka ftuar kryetrarët e komunave në veri dhe qytetarët që të mos bien pre e këtyre provokimeve.

“Përpjekjet nga akterë të ndryshëm, zyrtarë dhe afaristë serbë në Veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme. Boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar. Në bazë të këtyre informatave, mësohet se pjesë e organizimit të këtij plani janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq. Sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim dhe ftojmë kryetarët e komunave në veri dhe qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve”, ka shkruar Haradinaj.

KosovaPress përmes burimeve të saj kishte mësuar se personat e angazhuar përgjegjës për një organizim të tillë janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq etj, të gjithë këta njerëz shumë të besueshëm të kapos së krimit në atë pjesë, Millan Radojçiqit. Po ashtu, kishte raportuar se ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq.