Shumica nga fotografitë janë të shkrepura nga arkitekti Andrija Mutnjakoviq

Shumica nga fotografitë janë të shkrepura nga arkitekti Andrija Mutnjakoviq

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita me fotografi me anë së cilave prezantohet pamja se si do të bëhet konversimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Festivalit të Arkitekturës.

Bekim Ramku, drejtori i Fondacionit Kosovar për Arkitekturë tha se festivali do të zgjasë tre muaj dhe do të ofrojë aktivitete të ndryshme për pjesëmarrësit.

“I kemi diku  rreth 12 ligjërata, 6 punëtori, promovime të librave e kështu me radhë. Punëtoritë janë të hapura për studentë dhe profesionistë të arkitekturës. Por, gjithë programi tjetër është i hapur për të gjithë, domethënë për publikun e gjerë edhe mundeni me ardhë për çdo mbrëmje prej orës 7 në Kino Armata, ka ligjërata, pos të mërkurës kur janë shfaqjet e filmave”,  ka thënë Ramku.

Ramku ka njoftuar gjithashtu se të shtunën do të mbahen katër promovime librash  ku dy prej tyre janë të autorëve Eliza Hoxha dhe Gëzim Paçarizi.

Ndërsa Antoinie Wilmering nga Fondacioni “Getty” tha se ndihet i lumtur që po merr pjesë në këtë ekspozitë. Ai foli edhe për arkitekturën e ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare, të cilën e quajti thesar të Kosovës.

Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, tha se kjo bibliotekë është një nga arritjet më të mëdha të arkitekturës moderne në Kosovë. Ai shtoi se rëndësinë dhe peshën e përgjegjësisë së tij e kishte kuptuar më së miri gjatë një trajnimi në Londër.

“Unë kam kuptuar, të jem i sinqertë, peshën time të përgjegjësisë për këtë objekt shumë më shumë se që kam ditur pas një trajnimi dhe prezantimi të këtij plani në Londër , kur kam dëgjuar prezantimet e Antonios dhe kolegëve të tij të cilët flisnin me dije dhe dashni për objektet arkitekturale të vjetra e modern dhe ruajtjen e tyre. E flisnin edhe për objektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si të ishte objekt i vendit të tyre”, ka thënë Gajraku.

Ai më tej falënderoi Fondacionin Kosovar për Arkitekturë dhe Fondacionin “Getty”  ku prej këtyre të fundit kërkoi ndihmë edhe në projektet e tjera.