Nga drejtësia në gjykatë, nga gjykata në prokurori dhe anasjelltas

Nga drejtësia në gjykatë, nga gjykata në prokurori dhe anasjelltas

Pingpong mes institucioneve të vendit për të marrë vendim nëse ish-ushtari i UÇK-së Tomor Morina duhet të ekstradohet në Serbi ose jo.

Ministria e Drejtësisë deri në Gjykatën Penale e ka përcjellë dokumentacionin me kërkesën për ekstradim. Por Penalja para se të japë mendimin e vet, më parë do të kërkojë mendim nga Prokuroria. Pasi Prokuroria t’i përgjigjet, Gjykata do të japë mendimin e saj që do t’ia dërgojë Ministrisë së Drejtësisë.

“Gjykatësi i procedurës paraprake, në përputhje me dispozitat ligjore, kërkesën do ta dërgojë për mendim në Prokurorinë kompetente, e pas marrjes së mendimit gjykata do të deklarohet dhe përgjigjen do ta dorëzojë në Ministrinë e Drejtësisë e cila është kompetente për pjesën e mëtejshme për procedurat për ekstradim”, ka deklaruar Gjykata Penale.

Kjo nënkupton se pavarësisht mendimit që do ta japë gjykata, vendimin përfundimtar për ekstradim e merr Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska. Nga kabineti i saj nuk pranojnë që paraprakisht të tregojnë nëse do të vendosin ‘pro’ ekstradimit nëse edhe gjykata e jep një mendim të tillë. Thonë se vendimin do ta marrin pasi t’i kenë analizuar argumentet e gjykatës dhe se do të veprojnë në bazë të së drejtës vendore dhe ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani ditë më parë i tha TV21 se nuk ekzistojnë gjasa që Morina të ekstradohet në Serbi. Megjithatë kjo deklaratë e tij, siç thonë nga Kabineti i Deskoskës, nuk ndikon aspak në vendimin e tyre përfundimtar.

“Në procedurën për ekstradim, gjykata është e vetmja që jep propozim për ekstradimin e ndokujt, pas së cilës vijon vendimi final i Ministrisë së Drejtësisë. Deklarata të Ministrave të tjerë nuk komentojmë. Ministria e Drejtësisë punon vetëm në bazë të ligjit dhe pa ndikimin e askujt, kështu që nuk ndjejmë asnjë presion nga deklaratat e kujtdo qoftë, pa marrë parasysh nëse janë ministra nga vendi, Serbia ose nga Kosova”, ka theksuar Ministria e Drejtësisë.

Gjykata e Shkupit sot gjithashtu ka aprovuar kërkesën që përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Shkup ta vizitojnë Morinën në burgun e Shkupit, ku tashmë dy javë po qëndron në repartin e  paraburgimit. Ambasadori Gjergj Dedaj ditë më parë i tha TV21 se ekstradimi i mundshëm i Morinës në Serbi, mund të prekë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Morina është arrestuar nga policia më 24 korrik, pasi që me kërkesë të Serbisë, INTERPOL-i kishte lëshuar urdhër arrest./21Media