U ekzekutua para djalit të tij

U ekzekutua para djalit të tij

Ekzekutohet me armë zjarri në mes të qytetit të Rrëshenit, Tonin Gjini, i njohur edhe si Armando Gjini. Mësohet se 48 vjeçari ka qenë duke udhëtuar me djalin e tij në automjet, në momentin kur në trafik i është afruar një fuoristradë me xhama të zinj, nga ku është qëlluar menjëherë me armë zjarri.

Gjini është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve.

“Në qytet Rrëshen, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A.Gj. vjeç 48, banues në  Rrëshen. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon hetimet për ndriçimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit”, informon policia.

Duket se në qytetin e Rrëshenit tensionet janë të larta. Dyshohet se ekzekutimi ka lidhje me një seri vrasjesh në dy vitet e fundit në Rrëshen.

Madje në 6 maj të këtij viti në automjetin tip benz të Gjinit ishte vendosur rreth 700 gram tritol. Edhe në atë kohë ai ishte duke udhëtuar me djalin të cilin po e çonte në shkollë kur ka konstatuar lëndën eksplozive. Fatmirësisht ngjarja u shmang, ndërsa është kërkuar ndërhyrja e Forcave Speciale dhe antiterrorist që u nis nga Tirana drejt Rrëshenit për të çaktivizuar tritolin. Gjatë ndërhyrjes bomba ka shpërthyer duke dëmtuar tërësisht makinën.

Në atë kohë Gjini ka deklaruar se nuk kishte asnjë problem familjar apo personal duke theksuar se mund të kishin ngatërruar shënjestër./oranews