Shala ka thënë se sfidë për Kosovën dhe të rinjtë e saj mbetet anëtarësimi i shtetit në OKB

Shala ka thënë se sfidë për Kosovën dhe të rinjtë e saj mbetet anëtarësimi i shtetit në OKB

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala ka mbajtur sonte fjalimin kryesor në Samitin Botëror Rinor që po zhvillon punimet në Kyrenia të Qipros Veriore.

Para 60 shteteve pjesëmarrësve, ajo ka folur për historinë e të rinjve të Kosovës, të kaluarën dhe të tashmen, sfidat në edukim dhe barazinë gjinore.

Me këtë rast, ajo ka theksuar se qe nga themelet e ndërtimit të një Kosove të pavarur dhe demokratike, rinia jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm, duke qenë çdoherë e gatshme të përballej me sfida te ndryshme si në kohë lufte ashtu edhe në kohe paqeje.

“Duhet të kujtojmë  të kaluarën për ta njohur të tashmen e një vendi! Nëse kthehem në të kaluarën historia e të rinjve të Kosovës është mjaft e dhimbshme. Që nga vitet e 90-ta për shkak të konflikteve politike në ish-Jugosllavi,  ajo shpeshherë u privua nga e drejta e fjalës se lirë, arsimimit, e lëvizjes, duke iu shkelur te drejtat themelore për një jetë me dinjitet.

Ishin pikërisht vitet 88-89 kur autonomia e Kosovës në Jugosllavi u suprimua nga regjimi serb. Kosova humbi të gjitha fuqitë legjislative dhe ekzekutive, duke përfshirë edhe çështjet mbi arsimin. Të dëbuar nga shkollat e mesme, të rinjtë shqiptarët gjatë viteve të 90-a krijuan një sistem paralel arsimi nëpër shtëpi-shkolla, me mungesë librash dhe pajisjesh të përshtatshme shkollore. Tri javë pasi që u ndanë shkollat, një helmim masiv i nxënësve ndodhi në disa qytete të Kosovës.

Vazhdoi përgjatë vitit dhe i preku rreth mijëra nxënës kryesisht shqiptarë. Paralelisht me protestat e studentëve, grupet e para të armatosura në Kosovë filluan të sfidonin shtetin serb edhe ushtarakisht. Ato filluan një betejë kundër regjimit represiv dhe drejt ndërtimit të mirëfilltë të Republikës së Kosovës që rezultojë me luftën brutale te vitit 1998-99, luftë në të cilën rinia e Kosovës luajti një rol të rëndësishëm duke u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftë në të cilën shume prej tyre humben jetën për liri dhe sot Kosova kujton me krenari  jetën dhe veprën e secilit prej tyre”, ka thënë ndër të tjera Shala.

Tutje ajo ka theksuar se 20 vjet pas luftës dhe 11 vite pas Pavarësisë, përkundër kushteve jo të favorshme dhe sfidave të mëdha sidomos cenimit të lëvizjes së lirë pra mos-liberalizimit të vizave, Kosova numëron qindra suksese të të rinjve të saj në vend dhe ne botë, në fushën e artit kulturës dhe sportit duke marrë si shembull Majlinda Kelmendin, Era Istrefin e shumë të tjerë.

Sa i përket arsimimit dhe barazisë gjinore, Ambasadorja Shala ka thënë se Kosova bazuar në vështirësitë që ka pasur në të kaluarën ka bërë progress duke respektuar kuotën prej 30% në Kuvendin e Kosovës, duke emëruar disa herë femra ministre në dikastere të ndryshme megjithatë kjo përqindje e respektimit të barazisë gjinore duhet të rritet.

Në fund ajo ka shtuar se sfidë për Kosovën dhe të rinjtë e saj mbetet anëtarësimi i shtetit në OKB dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar qe do t’i hapte rrugën të rinjve tanë të jenë të barabartë në botën demokratike.

Pjesë e panelit gjatë fjalimit të Ambasadores Shala ishte edhe ministri i Kulturës dhe Rinisë së Liberisë, D. Zeogar Wilson, i cili ka folur për perspektiven e të rinjve afrikan si dhe folës të tjerë.