Shqetësim numri i madh i pacientëve që paraqiten për ndihmë mjekësore direkt në emergjencë

Shqetësim numri i madh i pacientëve që paraqiten për ndihmë mjekësore direkt në emergjencë

Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është i vetëdijshëm lidhur me vështirësitë dhe ngarkesën e madhe me pacientë nëpër të cilat po kalon Klinika Emergjente në QKUK.

Si rezultat i kësaj situate, bëjnë të ditur se janë ndërmarrë hapa për renovim, krijim të pritoreve për pacientët, blerje e pajisjeve të reja, furnizimin me barna dhe ofrim në shërbime më kualitative.

“Aktualisht, Klinika Emergjente e QKUK-së, ka qenë dhe mbetet e mbingarkuar 24 orë me pacientë, përfshirë raste të aksidenteve në trafik, reanimime, raste të rënda kirurgjike, ortopedike dhe internistike. Përkundër mbingarkesës së madhe, ekipet shëndetësore të Klinikës Emergjente, në konsultim edhe me specialistët kujdestar nga degët kirurgjike, internistike dhe ortopedike, kanë ofruar ndihmën mjekësore për të gjithë pacientët”, njofton Shërbimi Spitalor, duke shtuar se një pjesë e Klinikës Emergjente, është në rinovim, investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK,  përderisa për herë të parë nga paslufta janë blerë 300 mijë euro pajisje të reja që pritet të futen në punë pas rinovimit, me kërkesë të menaxhmentit të klinikës.

”Duhet theksuar se shqetësim për Klinikën Emergjente, paraqet fakti se një numër i madh i pacientëve paraqiten për ndihmë mjekësore direkt në emergjencë, pa konsultuar paraprakisht Qendrat e Mjekësisë Familjare”, bëhet e ditur në komunikatën e Shërbimit Spitalor.