"Ish-kryeministri s'mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s'mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër"

“Ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër”

Lëvizja Vetëvendosje emërimin e drejtorit dhe inspektorit të ri të AKI-së e ka quajtur pazar të ri të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në largim Ramush Haradinaj.

Kreshnik Gashi sot është emëruar në krye të AKI-së, ndërsa Burim Ramadani po ashtu sot është emëruar në postin e inspektorit të përgjithshëm të AKI-së.

Emërimi i tyre në këto poste ka zgjuar reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila një gjë të tillë e ka quajtur antikushtetuese dhe politike.

“Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin. Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër. Propozimet janë po ashtu emërime politike”, thuhet në reagim.

“I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t’i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij”, thuhet më tej në reagim.

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron se pas konstituimit të institucioneve vendimi për emërimin e këtyre dy zyrtarëve në krye të AKI-së do të adresohet si shkelje e rëndë e paprecedent.

“Ditët e abuzimeve të PAN-it kanë mbaruar, po ashtu edhe mundësitë e tyre për ta rrënuar më tej rendin kushtetues”, përfundon reagimi.