Këta të rinj mund edhe të mos sjellin ndryshim

Këta të rinj mund edhe të mos sjellin ndryshim

Krahas aderimeve të shumta që ndodhën në prag të zgjedhjeve të parakohshme, subjektet politike në vend kanë futur emra të personaliteteve të ndryshme në listat e tyre për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Analistë të politikës vlerësojnë se është nevoja për ndryshim që i ka shtyrë partitë politike që të pasurojnë listat e tyre për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor, me emra të rinj.

Për disa, kandidatët e rinj përbëjnë rrezik për subjektet politike, ndërsa për të tjerë kjo është një mundësi e mirë për të tërhequr votues të rinj.

Analistja Donika Emini, thotë se futja e emrave të rinj në listat zgjedhore të subjekteve politike është një hap pozitiv, pasi sipas saj, legjislatura e re do të ketë një përbërje tjetër nga që ka qenë më parë.

“Të gjitha partitë politike është parë se kanë pasur një presion me sjellë fytyra të reja dhe me sjellë kandidatë të rinj. Tjetri hap pozitiv ka qenë që këto fytyra të reja kanë qenë fytyra që kanë ekzistuar në sferën politike në Kosovë, kanë qenë të parti në parti politike, por jo të rinj në moshë dhe jo të rinj në sferën politike në Kosovë. Të gjitha top 20-shet e partive politike kanë një miks të anëtarëve që kanë ekzistuar më herët me ata të rinj. Kjo është pozitive dhe kompozicioni i parlamentit ka me qenë më ndryshe, do me thënë nuk kemi më i pa deputetët që kanë qenë në legjislaturat e kaluara pa asnjë ndryshim”, thotë ajo.

Megjithatë, ajo për kp thotë se ekziston një rrezik, pasi këta të fundit mund të mos sjellin ndryshim.

“Droja kryesore është se sa kanë me qenë të peshës së rëndë këta kandidatë brenda partive politike, sesa këta kandidatë kanë me arritë me dal jashtë marxhinave të partive politike, sepse partitë politike dihet se janë bashkësi të cilat mbledhin njerëz të cilët kanë qëndrime të njëjta për çështje të caktuara. Për shembull, nëse i takon një partie konservative, sesa një i ri ka me mujtë brenda një partie konservative me qenë shumë liberal apo me trend në botë… Do të thotë, kjo mundet me qenë pozitive me faktin që ka fytyra të reja, që nuk i kemi parë në debate as në legjislatura të kaluara, mirëpo ekziston kjo droja që nuk kanë me sjellë domosdoshmërisht ndryshim, prapë ata kanë me qenë brenda marxhinave të partive politike dhe ideologjive të tyre”, deklaron ajo.

Analisti politik Rrahman Paçarizi, është pesimist sa i përket emrave të rinj, pasi konsideron se ka prej tyre që nuk e kanë rrjetin e tyre të grumbullimit të votave.

Megjithatë, një dukuri e tillë sipas tij, flet për tendencën e partive për t’u reformuar.

“Futja e kandidatëve të rinj, ndoshta jo mjaft të dëshmuar, përbënë një rrezik për partitë politike, sepse janë njerëz të cilat nuk e kanë rrjetin e tyre të grumbullimit të votave, fatkeqësisht. Mirëpo, në një plan më afatgjatë, flasin shumë për tendencën e partive politike për t’u reformuar, për tendencën e partive dhe gatishmërinë e tyre për të pranuar njerëz të ri. 3:40 Mendoj që listat më kualitative janë ato që kanë pranuar, kanë futur kandidatë të ri, edhe pse kjo mund të mos iu shpaguhet në këto zgjedhje, por e krijojnë një masë kritike të njerëzve dhe të mbështetësve, të cilët i kanë respektuar duke i futur në listë”, thotë ai.

Kurse politologu Ramush Tahiri është më optimist sa i përket kandidatëve të rinj për deputetë, e sidomos kur ata janë më të rinj edhe në moshë.

Ai thotë për kp se partitë politike duhet të fokusohen edhe në nxitjen e të rinjve për të dal në votim.

“Është mirë me pas kandidatë të ri sepse ne gjithmonë i kemi kah 50 mijë të rinj që e bëjnë moshën 18 vjeçare dhe që votojnë për të parën herë, dhe pjesëmarrja e tyre sa më e madhe është më e mirë. Do të thotë, nëse ne kemi diku 47-53 përqind të njerëzve që dalin në zgjedhje, nga të rinjtë duhet me pas 70-80 përqind sepse është mirë, i motivojmë me votu. Plus mendimi i ri është zakonisht mendim i lirisë, i shkolluar dhe partitë faktikisht transformohen në parti demokratike”, thotë ai.

Sipas tij, do të ishte mirë që parlamenti të ishte më i riu në rajon, për mesataren e moshës.

“Do të ishte mirë që të rinjtë të votojnë për të rinjtë, gratë të votojnë për gratë, në atë konceptin sepse ne i kemi gratë 30 përqind dhe nuk e marrin veç aq sa është me ligj, dhe gratë votojnë për meshkuj, e mora këtë segment. Të rinjtë, ne kemi 60 përqind më të rinj se 30 vjet, dhe duhet të rinjtë të votojnë të rinjtë, nuk ka nevojë ata që janë 3-4 herë që janë në Kuvend, por le ta votojnë gjeneratën e re. Dhe, do të ishte kënaqësi nëse ky parlament do të ishte siç është popullata e Kosovës, më i riu në rajon për mesataren e moshës”, thekson Tahiri.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 6 tetor, ndërsa fushata zgjedhore, ka filluar më 25 shtator dhe do të zgjasë 10 ditë.