Ende ka probleme në shtrirjen e drejtësisë në veri të Mitrovicës

Idrizi tha se sistemi i drejtësisë ka qenë efikas, mirëpo është përballur edhe me sfida

Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizoi konferencën e tetë vjetore gjyqësore, në të cilën u tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka bërë reforma të vazhdueshme, por duhet të përballet me sfidat e mëdha që janë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha se ky vit për sistemin e drejtësisë ka qenë efikas, mirëpo është përballuar dhe me sfida. Sipas tij, pako e ligjeve që është miratuar në Kuvend të Kosovës është një dëshmi se ky sistem po bëhet dhe më i qëndrueshëm. Ndërsa, ai theksoi se ende ka probleme në shtrirjen e plotë të drejtësisë në veri të Mitrovicës, ku përballen me probleme si mangësia e stafit dhe çështja e përkthimit të lëndëve.

Ndërsa, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci u shpreh se gjykatat në vend, e në veçanti Gjykata Supreme është duke bërë reforma të vazhdueshme. Ai theksoi se kësaj gjykate nuk i ka munguar guximi, pasi kanë akuzuar edhe njerëz të politikës. Peci ndër të tjera shtoi se luftimi i korrupsioni nuk është e drejtë e jona vetëm për të garantuar liberalizimin e vizave, por për t’i garantuar gjithë qytetarëve këtë si të drejtë themelore e tyre.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se sistemit të drejtësisë me anë të ligjeve që janë miratuar iu është dhënë fuqizim i madh për të qenë sa më efikas.

Pjesë e kësaj konference ishte dhe Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili tha se reforma në sistem drejtësisë kanë ndodhur vazhdimisht, mirëpo ato duhet të jenë më efikase. Sipas tij, ka dhe shumë sfida që duhet të përballen. Kurse, drejtoresha e zyrës për Demokratizim dhe Qeverisje, Christina Davis tha se tash është koha që tashmë të zbatohen ligjet që janë miratuara në Kuvend, pasi vetëm në ketë formë mund të arrihen rezultate konkrete.

Ndërsa, shefi i divisionit për Sundimin e ligjit të BE-së, Cezary Michalcsuk tha se qytetarët e Kosovës duhet të kenë gjyqësor të pavarur, gjyqësor efikas, që ndanë drejtësinë shpejtë, paanshëm në mënyrë që njerëzit të mendojnë se askush nuk është mbi ligjin.

Bashkorganizatori i kësaj konference, Ambasadori i OSBE-së, në Kosovë, Jan Braathu tha se prania e shumicës nga sistemi i drejtësisë  është një dëshmi që tregon përkushtimin për reforma në sistem të drejtësisë. Sipas tij, ky është viti ku është bërë tranzicion, pasi nga një sistem funksional, gjyqtarët kosovarë kanë marrë rastet nga bashkësia ndërkombëtarë.

Back to top button