Ende nuk ka asnjë investitor strategjik në Kosovë

Mungesën e investitorëve strategjik zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike e ka arsyetuar me mangësi në ligj

Edhe pse Ligji për Investime Strategjike është miratuar gati dy vjet më parë në Kuvend, ende nuk ka asnjë investitor strategjik në Kosovë, ndërsa në Maqedoni vetëm për nëntë muajt e fundit janë nënshkruar 11 kontrata për investime të huaja dhe po negociohet me rreth 200 kompani të tjera.

Për dy vjet janë vetëm pesë aplikacione, si investitorë strategjik në fushën e energjisë, e të cilët ende nuk janë përzgjedhur nga autoritetet kosovare.

Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci ka thënë për Kp se deri tash janë pranuar pesë aplikacionet e para, ku sipas tij pritet shpejt të dalin me emrat konkret për përzgjedhjen e këtyre kompanive për të investuar në Kosovë.

Mungesën e investitorëve strategjik, Daci e ka arsyetuar me mangësi në ligj. Ai ka shtuar se janë duke analizuar për ligje sa më të mira në vendet e rajonit, veçanërisht me atë të Maqedonisë, ngase sipas tij, ligjet atje janë më të favorshme për investime.

Ndërsa, ministri i Diasporës në Maqedoni, Edmond Ademi ka thënë për Kp  se Qeveria e Maqedonisë në fund të vitit të kaluar solli Programin për Zhvillim Ekonomik të shtetit dhe në bazë të programit ka miratuar edhe ligjin për përkrahjen e investimeve, ku parlamenti para disa ditësh e ka miratuar ligjin dhe ai ligj sipas tij në krahasim me të kaluarën tani i trajton në nivel të barabartë investitorët e huaj me investitorët e brendshëm dhe investitorët e diasporës.

Ai ka thënë se për herë të parë me ligj diasporës i garantohet përkrahje e shtetit për investime, para së gjithash për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ndërkaq, Ademi ka shtuar se të gjithë ministrat e sektorit të ekonomisë janë duke diskutuar dhe negociuar me rreth 200 kompani të huaja që vijnë nga gjithë bota, para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.

Back to top button