Ende nuk ka filluar seanca, Haradinaj thotë se ka pajtim mes grupeve parlamentare

Seanca e jashtëzakonshme ishte paraparë të fillojë nga ora 14:00

Ka kaluar më shumë së gjysmë ore nga koha kur u caktua të mbahej seanca e jashtëzakonshme dhe ende nuk ka filluar.

Shumica e deputetëve të koalicionit PAN nuk kanë mbërritur në sallë.

I pranishëm në sallë është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri Pal Lekaj, disa deputetë të AAK-së dhe të grupit 6 plus.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj para fillimit të seancës së jashtëzakonshme për dialogun, në holl të Kuvendit tha se ka pajtim mes grupeve parlamentare të pozitës, por edhe me PSD-në. “Pritet dakordimi për një ligj. Vendimi u mor dje, po presim të shohim nëse sot ka kuorum. Nëse ka kuorum përfundon sot, nuk e di a do të vijnë të gjithë deputetët, ende s’kemi kuorum. AAK-ja është gati për seancë”, tha kryeministri.

I pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj tha se funksionet e presidentit Thaçit janë kushtetuese e nuk do të ndryshojnë, por dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit. “Kushdo që e përfaqëson Kosovën, do t’i pajisimin me materie të nevojshme. Ekzekutivi e ka për detyrë t’i përgatisë ata, ne do të jemi transparent dhe kemi punuar shumë në këtë drejtim”, shtoi ai.

Kryeministri tha se opozitën nuk e obligojnë të marrin pjesë, porse duhet të jenë pjesë e konsensusit.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme.

Back to top button