Java e 44-ërt me radhë që shoqërohet me protesta

Java e 44-ërt me radhë që shoqërohet me protesta

Një grup i vogël prej rreth 150 protestuesish kanë marshuar drejt sheshit “Place D’Italie” në Paris, të shoqëruar nga dhjetëra policë.

Lëvizja ka humbur numrin e saj të madh të protestuesve në muajt e fundit, ku tani ka mbetur vetëm një grup i vogël që nuk ndalon protestat, krahasuar me muajt nëntor e dhjetor të vitit të kaluar ku mbi 300 mijë persona mblidheshin në rrugët e Parisit, shpesh shoqëruar edhe me probleme, dhunë e vandalizma, përcjell rtv21.tv.

“Xhaketat e Verdha” të emëruara nga xhaketat rrezatuese që shoferët franceze duhet të mbajnë në veturat e tyre e që janë veshur nga protestuesit, kanë filluar protestat e tyre në muajin nëntor të vitit të kaluar, pas një zemërimi publik kundër taksave për karburantet. Këto vendime ishin tërhequr, mirëpo lëvizja ishte shëndërruar në një protestë më të gjërë anti-qeveritare.

Megjithë rënien e numrit të protestuesve, “Xhaketat e Verdha” kanë thirrur protesta për datën 21 shtator, teksa afrohet edhe përvjetori i fillimit të këtyre protestave./21Media