Endrit Shala e quan verbal sulmin ndaj gazetarit

Shala thotë se nuk e ka sulmuar gazetarin

Prokuroria e Prishtinës ka nisur dje hetimet rreth një sulmi të pretenduar të ministrit në detyrë, Endrit Shala, ndaj gazetarit të portalit “IndeksOnline”.Gazetari Ensar Ramadani kishte raportuar në Polici se ishte sulmuar fizikisht nga ministri Shala teksa ai po mbulonte një ngjarje. Në një deklaratë për kallxo.com, gazetari ka treguar se kishte shkuar në QKUK për të mësuar për gjendjen e një të plagosuri me armë zjarri që kishte ndodhur disa minuta më herët.

Në QKUK kishte arritur Endrit Shala, i cili i kishte kërkuar telefonin gazetarit dhe pasi ky kishte refuzuar t’ia jepte, Shala sipas pretendimeve të Ensar Ramadanit e kishte goditur me shuplakë.Pas këtij incidenti, gazetari ka shkuar dhe ka raportuar rastin në Polici.

Lidhur me këtë ngjarje, kallxo ka kontaktuar me ministrin Shala. Endrit Shala thotë se nuk e ka sulmuar gazetarin. Njëkohësisht, kërkon falje për atë që kishte ndodhur.

“Së pari nuk e kam sulmuar gazetarin. Ka qenë një konflikt më shumë verbal, në një rast të caktuar pas një ndërhyrje tragjike në Qendrën Klinike Universitare… Nuk e kam ditë që është gazetar për arsye se personi nuk ka pasur as bexh as nuk ka pasur asgjë që me identifiku si gazetar. Unë nën një kam kërkuar që me qëllim që ta ruan familjen e personit që kishte pësuar tragjikisht atje pas asaj ngjarje që të mos i filmojë. Këtu ka ndodhur ai konflikti, verbal më shumë. E kam shty personin në fjalë për me kërku me na liru rrugën, me u fut në QKUK”, thotë Endrit Shala.

Sipas tij, pasi që i ka treguar që është gazetar ka tentuar edhe dy herë të kthehet e t’i kërkoj falje.

Shala thotë se i ka kërkuar falje edhe redaksisë së gazetarit, duke e thirrur pronarin e mediumit.Ai insiston se nuk ka pasur tendencë të shtyjë një gazetar.

“Në momentin që e kisha ditë që është gazetar unë bile e kisha afru. Që 20 vite jam në politike e një kohë të gjatë bashkëpunoj me gazetarë. Nuk më ka ndodhur asnjëherë as një fjalë më e keqe ta kem me një gazetar. Unë as prej natyrës nuk jam konfliktuoz. Kam kërkuar falje për këtë konflikt verbal që ka ndodhur mes meje dhe tij dhe njëkohësisht i kërkoj falje edhe të gjithë Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që ka ndodhur një konflikt i tillë”, shton ministri në detyrë.

Gazetari Ensar Ramadani kishte thënë se ishte sulmuar pasi që kishte fotografuar ministrin Shala duke dalë nga vetura dhe duke hyrë në QKUK./kallxo

Back to top button