AKA mbetet në ENQA

AKA mbetet në ENQA

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) do të vazhdojë te jetë anëtare në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Ky vendim është marrë sot nga Asambleja e Përgjithshme e ENQA-s, e cila ka diskutuar lidhur me anëtarësinë e AKA-së në këtë organizatë.

Sipas një njoftimi të AKA-së, përfaqësuesit e saj me sukses kanë mbrojtur dhe përfaqësuar institucionin e tyre para Asamblesë së ENQA-s duke paraqitur të arriturat e Agjencisë në vitet e fundit, hapat e ndërmarrë për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe sfidat me të cilat është përballur ajo.

“Të arriturat dhe angazhimi i AKA-së, janë vlerësuar edhe nga të pranishmit, agjencitë tjera evropiane, anëtare të ENQA-s, të cilat e kanë mbështetur angazhimin dhe misionin e AKA-së si dhe pavarësinë e saj”, thuhet në njoftimin e AKA-së.

Asambleja e Përgjithshme e ENQA-s e ka mbështetur propozimin e Bordit të saj për vendosjen e AKA-së si “anëtare në shqyrtim”, për shkak të vlerësimit të jashtëm që AKA duhet ti nënshtrohet një vit para skadimit të anëtarësisë së saj, statusi i anëtarësisë së cilës në ENQA, siç njofton AKA, është deri në vitin 2019.