Enver Hoxhaj del me propozim për taksën

Hoxhaj thotë se tarifa ka qenë mjet dhe jo qëllim

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj deklaroi sot se taksa ndaj mallrave serbe duhet të largohet, por ndërkohë nuk duhet të vendoset masa e reciprocitetit. Përmes një shkrimi në Facebook, Hoxhaj u shpreh se taksa 100 për qind ka qenë goditje ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjes së sovranitetit të Kosovës.

“Si anëtar i qeverisë që kam propozuar tarifën, sot mendoj që ajo duhet të largohet dhe të mos vendoset as reciprociteti! Tarifa ka qenë mjet dhe jo qëllim! Qëllimi ynë është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja ndërkombëtare! Tarifa ka qenë goditja jonë ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjes së sovranitetit tonë! Interesi shtetëror i Kosovës është i pandashëm me interesin nacional të SHBA-së. Qëllimi ynë është përmbyllja e shtet-ndërtimit”, shkruan Hoxhaj.

Hoxhaj kërkoi që të mos vihet në pikëpyetje marrëdhënia e veçantë me SHBA si partnerin më strategjik të Kosovës.

“Hiqeni taksën dhe mos e vendosni reciprocitetin. Kërkesat dhe qëllimet tona përmbushen me mbështetjen e partnerëve tanë amerikanë e evropianë. Na duhet mençuri dhe vendosmëri për ta ngritë lartë flamurin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE!”, përfundon Hoxhaj.

Back to top button