Erdogan: Jepni fund para përfundimit të Ramazanit

Erdogan kërkon zgjidhje të krizës me Katarin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i ka bërë thirrje të shtunën Katarit dhe fqinjëve të tij që deri para përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit t’i japin fund krizës së rëndë diplomatike, e cila ka tronditur Gjirin Persik.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me shefin e diplomacisë së Bahrejnit, ka bërë të ditur sot ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu.

Muaji Ramazan përfundon më 25 qershor. Erdogan dhe Çavushoglu, vendi i të cilëve mbështet Katarin, biseduan rreth një orë e gjysmë në Stamboll me sheikun Kaled ben Ahmed Kalif, shef i diplomacisë së Bahrejnit, aleat i Arabisë Saudite.

Gjiri Persik nga e hëna ndodhet në krizë serioze pasi Bahrejn, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar për mbështetje ndaj terrorizmit dhe lidhje me Iranin, rivalin rajonal të Arabisë Saudite. Autoritetet e Katarit kanë hedhur poshtë akuzat.

Tri shtetet e Gjirit kanë mbyllur kufijtë tokësor, detar dhe ajror me Katarin. Ndërmjetësim më herët ka paralajmëruar edhe Rusia, ndërsa Uashingtoni ka bërë thirrje për ulje të tensioneve.

Turqia ka marrëdhënie të veçanta me Katarin dhe vazhdon të zhvillojë edhe marrëdhënie me mbretërinë e fuqishme saudite.

Parlamenti turk kësaj jave miratoi dërgimin e trupave turke në bazën ushtarake në Katar, i cili është i pasur me gaz.  “Kjo marrëveshje nuk është e drejtuar kundër asnjë shteti në Gjirin Persik”, tha sot Çavushoglu, duke shtuar se synohet sigurimi i stabilitetit të Gjirit Persik në tërësi.

Erdogan këtë javë ka biseduar edhe me disa udhëheqës të rajonit dhe tha se është i gatshëm që të ndërmarrë çfarëdo përgjegjësie për të qetësuar Riadin dhe Dohën.

Back to top button