Erdogan kundërshton deklaratat e Bolton

Bolton për vizitë në Turqi

Bolton bisedoi rreth dy orë me Ibrahim Kalin, këshilltar i lartë i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Një zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA, Garrett Marquis, tha se dy palët kanë identifikuar çështje të tjera për dialog.

Bolton ka thënë më herët se do që të sigurojë garanci nga Turqia se ajo nuk do të sulmojë milicinë kurde në Siri, e cila është aleate e SHBA-së, në luftën kundër ekstremistëve të grupit Shteti Islamik.

Ai ka thënë se ky është “kusht” për tërheqjen e planifikuar të trupave të SHBA-së nga Siria.
Muajin e kaluar, njoftimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për tërheqje nga Siria ka shkaktuar shqetësim tek aleatët dhe ka çuar në dorëheqjen e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në një paraqitje para partisë së tij ka deklaruar se nuk e pranon kushtin dhe deklaratat e Bolton të ardhura nga Izraeli.

“Nuk është e mundur për ne që të pranojmë mesazhin që na solli nga Izraeli këshilltari për siguri John Bolton. Sa i përket kësaj çështjeje, Bolton ka bërë një gabim të rëndë dhe secili që mendon kështu gabon rëndë. Nuk është e mundur për ne të bëjmë kompromise në këtë kohë. Ata që janë pjesë e korridorit të terrorit në Siri do ta pranojnë mësimin e nevojshëm”./21Media

Back to top button