Erdogan paralajmërim kundër projekteve energjetike në Qipro

Qipro shpreson të bëhet një aktore energjetike

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi sot kompanitë ndërkombëtare kundër projekteve të mundshme të gazit në Qipro, pas dështimit të raundit të fundit të negociatave për ribashkimin e ishullit.

Në një fjalim në Kongresin Botëror të Naftës që u hap sot në Stamboll, Erdogan theksoi se një mundësi e madhe ishte humbur me dështimin e negociatave që u mbajtën në Zvicër javën e kaluar për ribashkimin e palëve greke dhe turke të Qipros, ndarë që prej vitit 1974, raporton AFP.

Në vitin 2011, kompania amerikane “Noble Energy” ka qenë e para që ka zbuluar gaz në brigjet e Qipros, në fushën Aphrodite, rezervat e të cilës janë vlerësuar 127,4 miliardë metra kube, i cili nuk ka filluar ende të shfrytëzohet.

Qipro shpreson të bëhet një aktore energjetike e madhe në Mesdheun lindor dhe të ndërtojë një terminal tokësor për të eksportuar gaz drejt Evropës dhe Azisë deri në vitin 2022.

Por, pasuritë e gazit të ishullit janë çështjet kryesore të pakënaqësive mes qipriotëve grekë dhe turq dhe Erdogan paralajmëroi kompanitë ndërkombëtare kundër zbatimit të projekteve në këtë fushë, në mungesë të një marrëveshjeje mes dy palëve.

Back to top button