Erdogan paralajmëron referendum për dënimin me vdekje

Pas fitores në referendumin për ndryshime kushtetuese, Erdogan paralajmëron referendum për rikthimin e dënimit me vdekje

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, shprehu gatishmërinë për organizimin e referendumit për rikthimin e dënimit me vdekje në vend. Ai këtë paralajmërim e bëri pasi që shpalli fitoren në referendumin për ndryshimet kushtetuese, në të cilin qytetarët votuan në favor të propozimeve të shpalosura nga ai.

Duke folur në tubimin e fitores, në të cilin ithtarët e tij filluan të brohorasin “dënimi me vdekje”, Erdogan tha se për këtë çështje do të bisedojë me kryeministrin Binalli Jilldirim. Presidenti turk me këtë rast tha se nëse opozita miraton kërkesën për rikthimin e dënimit me vdekje, atëherë ai do ta miratoi këtë, e nëse opozita e kundërshton propozimin, ai paralajmëroi organizimin e referendumit. Siç dihet, dënimi me vdekje në Turqi është shfuqizuar në vitin 2004, për shkak të kandidaturës së Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, për epilogun e referendumit në Turqi reaguan edhe institucionet e Evropës, me Komisionin e Evropës që kumtoi se Ankaraja duhet të siguroi konsensusin me të gjerë të mundshëm kombëtar në lidhje me amendamentet kushtetuese. Duke pasur parasysh rezultatin e ngushtë të referendumit dhe pasojat gjithëpërfshirëse të amendamenteve kushtetuese, i bëjmë thirrje autoriteteve turke që të sigurojnë konsensusin më të gjerë të mundshëm kombëtar për zbatimin e tyre, u theksua në kumtesën e Komisionit Evropian, shkruan rtv21.tv

Për referendumin u shpreh edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, i cili i bëri thirrje autoriteteve turke për fillimin e një dialogu me të gjitha forcat politike dhe qytetare në vend. Siç vlerësoi Merkel, epilogu i referendumit dëshmoi për atë se sa është e përçarë shoqëria turke. Në kumtesën e përbashkët, të lëshuar nga Merkel dhe ministri i Jashtëm, Zigmar Gabriel, u theksua se qeveria gjermane respekton të drejtën e popullit turk që të vendos për kushtetutën e vendit, por aty gjithashtu u nënvizua se Erdoan tani bartë një përgjegjësi për hapat e radhës të Turqisë.

Edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Sebastian Kurc tha se epilogu i referendumit dëshmon për përçarjet e mëdha në Turqi dhe shtoi se tani e tutje, bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë do të jetë edhe më kompleks. Kurc shkoi edhe një hap më tutje, duke thënë se votuesit turqë kanë vendosur kundër Bashkimit Evropian dhe tha se Turqia gjithnjë e më shumë po largohet nga demokracia dhe shteti ligjor. Shefi i diplomacisë austriake përsëriti kërkesën e tij për ndërprerjen e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në union./21Media

 

Back to top button