Vajza flokëgjatë e zë ëmbël, si 8 vjeçare preku majat e suksesit

Vajza flokëgjatë e zë ëmbël, si 8 vjeçare preku majat e suksesit

Erza Muçolli është talentja kosovare që si 8 vjeçare arriti në finalen e audicionit “France’s Got Talent” në Francë në vitin 2014 dhe tani Erza 11 vjeçare është pjesë e grupit të njohur “Kids United”.

Asnjëherë nuk largohet nga mendja shembulli i të suksesshmes e cila me një përformancë të përkryer në skenën e audicionit “France’s Got Talent”, më zërin e saj melodik, e ulur pranë një pianoje duke lëvizur këmbët të cilat nuk i preknin dot në dysheme e mimika e saj e fytyrës duke e ndjerë atë që e thotë, të mbushin me gjallëri dhe pritshmëri se kjo ka për t’u bërë një superkëngëtare.

Erza si duket ka përzgjedhur shembujt e duhur për karrierën e saj, ajo pëlqen këngëtaret si Celine Dion dhe Adele por këngët që vazhdimisht i këndon janë ‘Xhamadani vija vija” dhe “Jemi ne jemi ne Shqipëri e madhe”.

Talentja kosovare e cila jeton në Francë, Erza Muçolli për rtv21.tv ka treguar për projektet e saj gjatë këtij viti. Ajo numëron rreth 60 koncerte ku do t’i mbajë në vende të ndryshme si Francë, Zvicër e Belgjikë si dhe përgatitjet për albumin e tretë me grupin “Kids United”. Dy albumet e para të këtij grupi ku pjesëmarrëse është edhe Erza janë radhitur në toplistën e pesë alumeve më të shitura në vitin 2016, shkruan rtv21.tv.

Përveç 40 këngëve të dy albumeve që janë regjistruar në kuadër të grupit “Kids United”, Erza ka plan që të bëj këngë edhe në gjuhën shqipe të cila do t’i dedikohen atdheut dhe fëmijëve.

Mirëpo, të arrish gjithë këto suksese, të të njohin për zërin e veçantë duhet ta menaxhosh edhe frikën nga paraqitjet skenike ashtu siç bën Erza. Ajo rrëfen se fillimisht ka një lloj frike por, kur del para publikut kënaqet, kur sheh se të gjithë ngiten në këmbë dhe pikërisht kjo e bën Erzën më të fuqishme për të dhënë maksimumin. Por, ajo duke qeshur thotë: “Gjatë koncerteve të gjithë fansat që janë para meje kanë dëshirë t’ua zgjas dorën, mirëpo nganjëherë nuk ma lëshojnë dhe kjo më bën të ndihem pak në siklet”.

Përveç këndimit Erza është futur edhe në botën e filmit, ajo tregon për rtv21.tv se ka qenë pjesë e një filmi vizatimor ku zëri i saj është përdor për një personazh.

Gjatë bisedës Erza ka rrëfyer edhe për pjesëmarrjen e saj në New York për 70 vjetorin e krijimit të UNICEF-it. E veçanta e kësaj ishte se Erza Muçolli po bëhet ambasadore e Kosovës kështu duke i përshendetur të pranishmit në gjuhën shqipe, ajo tregon se për këtë ka kërkuar leje nga organizatorët e cila pa dyshim që iu pranua. “Ishte kënaqësi ta prezantoj popullin shqiptar, gjithashtu pata rastin të takohem edhe me shumë figura të njohura”, tregon Erza e cila përmes këngës dhe paraqitjeve po i tregon vlerta e Kosovës.
Si duket këto janë vetëm fillesat e suksesit të Erzës./21Media