“Është tallje që t’i themi kryeparlamentarit të zgjedhur në mënyrë demokratike të dorëhiqet”

Haxhiu flet pas takimit VV-LDK

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosja pas takimit të sotëm VV-LDK ka thënë se nuk ka marrëveshje për shkak të insistimit të LDK-së për pozitën e kryeparlamentarit.

“Do të doja që të thosha se marrëveshja është finalizuar, por s’mund ta them një gjë të tillë për faktin se LDK-ja po insiston në propozimin e saj të 8 janarit. Pas kësaj date ne kemi dhënë dy propozime të tjera, por që u refuzuan nga LDK-ja, në këto takime që kemi pasur. Sot kemi pasur takim të gjatë edhe me përfaqësues të QUINT-it, por po ashtu kemi pasur pas takimit me QUINT-in edhe një takim mes neve si dy subjekte politike. Nuk ka marrëveshje pikërisht insistimit të LDK-së për kthim të para datës së 26 dhjetorit. Është e papranueshme për ne. E kemi njoftuar QUINT-in për qëndrimet tona. Kemi parë të arsyeshme t’i takojmë bashkërisht që t’u japim gjendjen e qartë ku kemi mbërri sot. S’mund të them se takimet kanë përfunduar sepse kemi një javë në dispozicion për të finalizuar marrëveshjen. S’mund të jap garanc se marrëveshja do të bëhet, por do të garantoj për përkushtimin e VV-së që të punojë në këtë drejtim”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se është tallje që ti kërkohet Glauk Konjufcës të dorëhiqet nga posti i kryeparlamentarit.

“Është tallje që t’i themi kryeparlamentarit të zgjedhur në mënyrë demokratike dorëhiqu, që të jetë dikush i LDK-së për disa muaj, pastaj ai të hiqet e të vijë dikush tjetër. Kjo është tallje me institucionin më të lart në vend. Kemi para vetes shumë zgjidhje të tjera, por kjo s’mund të bëhet nëse s’ka vullnet nga LDK-ja”, ka thënë Haxhiu./21Media

Back to top button