Fajon ka komentuar fjalimin e Mogherinit në Këshillin e Sigurimit

Fajon ka komentuar fjalimin e Mogherinit në Këshillin e Sigurimit

Deputetja e Parlamentit Evropian Tanja Fajon ka vlerësuar fjalimin e shefes së diplomacisë së BE-së Federica Mogherini në Këshillin e Sigurimit si kërkesë për mbështetjen e kësaj trupe të OKB-së në finalizimin e marrëveshjes Beograd- Prishtinë për shkak të dëshirës për t’i dhënë fund çështjes në mënyrë pozitive.

“Unë kam shumë besim te Federica Mogherini. E di që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të, por për gjithë BE-në. Bëhet fjalë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Fajon.

Ajo ka vlerësuar se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dëshiron “të mbyll fundin e mandatit të saj me një histori pozitive”.

“Nuk është vetëm për shkak se kjo çështje gjendet lart në agjendën e Komisionit Evropian dhe vetë Federica Mogherinit, por për njerëzit që të jetojnë normalisht në të dy anët,” ka deklaruar Fajon.

Ajo ka shtuar se Parlamenti Evropian ka kërkuar në mënyrë të përsëritur një vazhdim të shpejtë të dialogut, që është në interes të të gjithëve.

Ndryshe, Mogherini ka thënë dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Prishtina zyrtare duhet të heqë taksat për vazhdimin e dialogut dhe porositi se marrëveshja përfundimtare të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu të marrë edhe mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.