Kërkohet hetim i ri për t'i qartësuar rrethanat e vdekjes së Deharit

Kërkohet hetim i ri për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Deharit

Avokati i familjes së ish-aktivistit të VV-së, Astrit Deharit, Tomë Gashi ka bërë të ditur se familja Dehari kërkon që prokuroria speciale e Kosovës që të ri-angazhojë institutin zviceran të mjekësisë ligjore që, sipas tij, të identifikohen vrasësit e Astrit Deharit.

Gashi këtë e bëri të ditur përmes një postimi në facebook, ku edhe bashkangjiti dokumentin.

“Ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z.Dehari Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, bëhet e ditur në një pjesë të dokumentit dy faqësh.

Më 05 nëntor, qytetarë të shumtë, pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë politikë marshuan për të kërkuar drejtësi në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Njëkohësisht, u kërkuaa hetim i ri dhe i pavarur. Përveç, marshit, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek varri i Deharit në Zllatar.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e kishte konsideruar vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e kishin cilësuar vrasje. Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran. Ky institut konstatoi se hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh./21Media