Pas kalimit të situatës nga koroanvirusi do të organizohen aktivitete për të nderuar veprën e Leze Qenës

Pas kalimit të situatës nga koroanvirusi do të organizohen aktivitete për të nderuar veprën e Leze Qenës

Ministrja e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Vlora Dumoshi, organizoi homazhe për nder të aktores Leze Qena e cila ndërroi jetë mëngjesin e sotëm pas rëndimit të gjendjes shëndetësore.

Në homazhe përpos ministres Dumoshi, morën pjesë edhe familjarë të ngushtë si dhe disa prej anëtarëve të komunitetit artistik, të cilët para fotografisë së aktores Leze Qena në hyrje të Teatrit Kombëtar vunë buqeta me lule.

Pas homazheve, Dumoshi deklaroi se Leze Qena do të mbetet një ikonë dhe një grua e cila theu tabutë dhe u ngjit në skenën e teatrit. Sipas saj, kjo është një dhimbje e madhe për të gjithë komunitetin kulturor dhe vendin në tërësi.

“Sot në mëngjes e morëm një lajm mjaft të hidhur, sot vdiq e madhja Leze Qena e cila për ne është një humbje e madhe, por gjithmonë do tà « mbetet një ikonë, një grua e fortë, një vajzë e cila i theu të gjitha tabutë dhe u ngjit në skenë, në teatër, në film por edhe në pjesën e komikes, pra të humorit. Është dhimbje e madhe, por me këtë rast të gjithë komunitetin kulturor, e ngushëlloj, kolegët e saj por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Dumoshi.

Për shkak të masave të marra nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19, Dumoshi tha se e kishin të pamundur të organizoni diçka më tepër pasi nuk lejohen tubimet.

Ajo tha se mori iniciativën që ta vendoste fotografinë e Leze Qenës, ndërsa njoftoi se Lezja do të varroset nesër në ora 17:00 në varrezat e Prishtinës.

Kortezhi me trupin e pajetë të Leze Qenës fillimisht do të kalojë nga Teatri Kombëtar dhe më pas do të niset drejt varrezave.

Dumoshi premtoi që sapo të kalojë kjo situatë me virusin COVID-19, do të organizojnë aktivitete të tjera për të nderuar veprën e Leze Qenës.