Një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar

Një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar

Fan S. Noli, një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, kujtohet si një figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare. Ai ishte njeriu i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, të cilat i kishte kapërcyer me përkushtimin e një burri të vërtetë shteti.

Noli kishte lindur në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë, në 6 janar të vitit 1882. Vitet e luftës së përbashkët krahas forcave më të përparuara të shoqërisë shqiptare e kishin bërë Nolin demokratin revolucionar dhe mendimtarin e shquar dhe veprën e tij, një nga kulmet e mendimit shoqëror dhe krijimtarisë poetike shqiptare.

Fan Noli kishte shkruar drama, kishte botuar artikuj në gazetën “Drita”, kishte përkthyer në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë ç ‘është e ç’do të bëhet”. Pastaj kishte shkuar në SHBA, ku kishte luajtur rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”. Në këto vite kishte krijuar vargjet e para dhe kishte nisur shqipërimet. Megjithëse kishte jetuar larg Shqipërisë, ai kishte dhënë shumë për të.

Rolin kryesor Noli e kishte luajtur në pozicionin e tij si prift. Ai e kishte marrë këtë detyrë në moshën 27 vjeçare, kur shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën.

Si prift ortodoks në vitin 1908 për herë të parë ai kishte mbajtur liturgji në gjuhën shqipe, në sallën “Knights of Honor” në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Kjo gjë, për atë kohë, kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve greke te shqiptarët me besim ortodoks.

Ndërkohë, ai kishte bashkëpunuar në gazeta, kishte mbajtur ligjërata, kishte organizuar shoqëri patriotike, të cilat më 1912, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kishte kryer studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Në vitin 1913, Fan Noli kishte vizituar për herë të parë Shqipërinë dhe kishte kryer të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këtë vend, në prani të princit Vilhelm Vid. Noli kishte ardhur në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920 .

Ai ishte bërë figurë udhëheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit, më 17 qershor 1924, Fan Noli ishte në krye të qeverisë së Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai kishte drejtuar një qeveri demokratike, e cila ishte munduar me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, të cilat ishin mjaft të rënduara. Por programi i tij për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, doli se kishte qenë tepër i nxituar në një vend pa tradita parlamentare.

Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste, Noli ishte larguar përgjithmonë nga Shqipëria. Dashurinë për popullin dhe atdheun ia kishte ushqyer rrethi familjar. Kultura e gjerë që kishte marrë, i kishte dhënë atdhetarizmit të tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirim kombëtar ai e kishte konceptuar si luftë me armë dhe me penë. Fan Noli kishte kërkuar që bashkatdhetarët e vet të mbështeteshin në “krahët… trimërinë…dhe kordhën e tyre…”. Si përkrahës i luftës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj, kishte mbështetur veprimet e çetave dhe kryengritjet e mëdha me armë kundër sundimit osman. Pas shpalljes së Pavarësisë ishte vënë në shërbim të qeverisë shqiptare të Vlorës.

Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i kishte shtjelluar në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Kishte luftuar që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar. Fan Noli kishte qenë një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme ai i kishte dhënë ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare.

Një pjesë të mirë të forcave të tij, ai ua kishte kushtuar gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, kishte themeluar dhe kishte drejtuar gazetën “Republika”. Fan Noli kishte qenë një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare, lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike. Ai kishte shprehur aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim. Lirikat politike të Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patunduri poetit në fitoren mbi armiqtë e vendit dhe drejt përparimit. Fan Noli i kishte kushtuar vëmendje të posaçme edhe studimeve historike.

Në këtë fushë interesat e tij ishin përqendruar rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Njeri me interesa të gjera krijuese.  Ai ishte marrë edhe me muzikologji; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmuan lart nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli kishte lënë përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi, etj. Noli kishte vdekur në Florida. SHBA, në 13 mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare.

Ai ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, të cilit i njohu vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret. Ai kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.